Konfuçi dhe minjtë e mëdhenj

Shumica e njerëzve të shquar të botës janë përbuzur dhe janë konsideruar budallenj prej të tjerëve. Shkaqet e përbuzjes kanë qenë shpesh veprat e tyre gjeniale – zbulimet e rëndësishme shkencore apo veprat artistike, të cilat e kanë shtyrë njerëzimin përpara.

Disa prej tyre edhe janë likuiduar e persekutuar keq vetëm pse kanë jetuar dhe janë sjellur ndryshe prej të tjerëve, pse u janë përkushtuar tërësisht pasioneve të tyre, pse kanë prishur notën mesatare të vdektarëve të rëndomtë në mjediset ku kanë jetuar, pse u kanë dhënë njerëzve zjarrin e Prometeut, pse kanë shkelur gjarpërin në bisht, pse në jetën e përdishme nganjëherë kanë manifestuar sjellje të ngjashme me të marrët, pse…

Historia njerëzore, pra, është e mbushur ding me personalitete të këtij soji, po ne po ndalemi te njëri prej tyre – te Konfuçi (551-479 para e. r.), i cili i vu vulën qytetërimit kinez, njerit prej më të lashtëve të botës.

Po, kush ishte në të vërtetë Konfuçi?

Njohësit e jetës dhe veprës së tij thonë se qe pinjoll i një familjeje të pasur të mbretërisë Lu (sot e njohur si krahina Shantung). Mbeti herët pa baba, por, nën përkujdesin e nënës, u shkollua dhe u bë mësues. Megjithatë, Konfçi braktisi herët profesionin e mësuesit dhe u dha i tëri pas pasionit të tij: mbledhjes dhe studimit të pasurisë shpirtërore të lashtësisë kineze nëpër arkivat e perandorisë së kohës. Shi për këtë, Ai braktisi vendlindjen dhe u vendos në Loyang, asokohe kryeqendër perandorake. Këtu punoi shumë, por nuk i shkoi përdore që të imponojë konceptet e veta për rregullimin e shtetit dhe shoqërisë kineze, të cilat i gjeti në të shkuarën e largët. I dëshpëruar, iku nga kryeqendra dhe bashkë me disa nxënës dhe bashkëmendimtarë brodhi e studio nëpër krahina të ndryshme të Kinës. Në verndlindje u kthye në moshën e pleqërisë dhe iu përkushtua sistemimit të të dhënave të mbledhura një jetë të tërë.

Vepra e Konfuçit la gjurmë të pashlyeshme, veçmas pas sh. II para e. r., kur konfuçionizmi u pranua si doktrinë zyrtare në shoqërinë kineze. Studiuesit thonë se ajo (vepra) kërkonte një diferencim të rreptë klasor dhe kierarkik, mbrojtjen e interesave të klasës sunduese dhe lidhej me mësimet moralo-etike e politike, me parimet që kërkojnë nga sumdimtari të sillet si sundimtar, ministri si ministër, babai si baba dhe djali si djalë…

Pesë librat klasikë të Konfuçit (Libri i këngëve, Libri i ndryshimeve, Libri i historisë, Libri i ritualeve dhe Pranvera dhe vjeshta), janë shfrytëzuar me shekuj si libra shkollore për moralin.

Kundruar nga ana letrare, si vepër më të rëndësishme konfuçianistët e konsiderojnë Librin e këngëve, që në fakt është përmbledhje e zgjedhur e poezive të lashta, të cilat për mbledhësin dhe kodifikuesin e tyre, shprehnin disponimin dhe synimet e përhershme të popullit kinez.

Libri në fjalë përbëhet prej këngëve solemne dhe hymneve të kënduara nëpër solemnitete pallatesh a në raste flijimesh të bëra për heronjtë e lavdishëm. Aty ka këngë me vargje realiste, që shpërfaqin momente interesante sociale të lidhura me jetën, doket, zakonet, dashurinë midis të rinjëve, gëzimet dhe vuajtjet e popullit…

Njohësit e Librit të këngëve e veçojnë si të guximshme poezinë për Miun e madh, ku nëpërmjet vargjeve të fuqishme alegorike sfidohet tirania e sundimtarit dhe pangopshmëria e minjëve të tjerë grykësa, si puna e grosistëve të pasuruar me djersën dhe fatkëqësitë e  njerëzve të thjeshtë.

Sa e gjithkohshme dhe e gjithandejshme kjo vepër 2500 vjeçare!

Sa keq që s’i kemi në shqip poezitë e Konfuçit!

Të paktën atë për minjtë e mëdhenj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button