Edhe me ligjin e ri të gjuhëve shqiptarët do të turpërohen: kërkohet formim i Këshillit të Lektorëve të Gjuhës Shqipe!

Meqë me ligjin e gjuhëve që pritet të miratohet më 29 janar në Kuvendin e Maqedonisë parashihet formim i dy institucioneve të reja, Agjencisë dhe Inspektoratit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të gjuhëve, nga profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Ajtene Qamili u shtrua edhe nevoja e formimit të një institucioni të ri, i quajtur Këshilli për Licencim të Lektorëve të Gjuhës Shqipe, shkruan Portalb.mk.

Ajtene Qamili
Ajtene Qamili

“Në Maqedoni nuk ka Këshill për licencim të lektorëve të gjuhës shqipe, propozoj që në kuadër të formimit të Agjencisë dhe Inspektoratit për zbatim të ligjit të gjuhëve të parashihet edhe formim i Këshillit të Licencimit të Lektorëve të Gjuhës Shqipe”, tha Qamili.

Ky propozim i profesoreshës Qamili vjen pasi që me ligjin e gjuhëve pritet formimi i dy institucioneve, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, të përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësorë, linguistë, filozofë të diplomuar në gjuhën shqipe, si dhe lektorë të licencuar. Ata do të udhëhiqen nga drejtori i agjencisë, i cili emërohet nga Qeveria përmes shpalljes publike. Pos Agjencisë, është paraparë edhe formimi i Inspektoratit për Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve.

Çështja me mungesën e lektorëve të licencuar bëhet më delikate sepse, të njëjtët, si pjesë e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, janë pararendës apo bazë e formimit të Inspektoratit që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit të gjuhëve.

“Fillimisht duhet të formohet Agjencia i cili do të merret me implementimin e ligjit të gjuhëve për të siguruar gjuhëtarë, linguistë me qëllim që ta ndjekin procesin e përkthimit të dokumenteve e kështu me radhë”, tha ditë më parë për Portalb.mk, Bilen Saliji.

Profesoresha Ajtene Qamili deklaroi se Këshilli për licencimin e lektorëve shqiptarë do të mund të formohej duke shtuar akte nënligjore në ligjin e gjuhëve që do të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë.

“Qëllimi i formimit të këtij këshilli bëhet që lektorët të kenë të drejtë të kryejnë lekturim, me vulë dhe dokument. Këshilli mund të jetë në formë të një organi shtetëror, që do të japë licencë. Mund të rregullohet njëjtë sikurse që është Këshilli për Gjuhën Maqedonase. Sikurse funksionon Këshilli për lekturim të gjuhës maqedonase, të ketë edhe për gjuhën shqipe”, tha Qamili. Ajo shtoi se në përbërje të këtij këshilli mund të jenë profesorë universitarë.

Besa Arifi
Besa Arifi

Në të njëjtën vijë është edhe profesoresha e juridikut, Besa Arifi.

“Formimi i Këshillit do të mund të bëhej me akte nënligjore të ligjit të gjuhëve. Siç është paraparë formimi i Agjencisë dhe Inspektoratit, ngjashëm mund të parashihet edhe formimi i Këshillit për licencim të lektorëve të gjuhës shqipe. Mund të jetë edhe paralele e Këshillit tashmë ekzistues të gjuhës maqedonase, por kjo të jetë për gjuhën shqipe”, tha Arifi.

Gjuha maqedonase është juridikisht e mbrojtur. Madje me Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase parashihet gjobë deri në 200 mijë den. (rreth 3, 300 euro) për personat juridikë që publikojnë dokumente të shkruara të pa-lekturuara.

Në Maqedoni edhe më parë ka pasur incitivë për formimin e një këshilli për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe të cilat dështuan për shkak se gjuha shqipe nuk specifikohej me Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe nuk mbrohej me ligj. Megjithëse në tekstet shkollore në gjuhën shqipe, si edhe mbishkrimet e ndryshme nëpër institucione e rrugë kemi parë gabime të shumta të cilat mes tjerash, ishin rezultat i mungesës së lektorëve të licencuar, edhe pse partitë politike gjatë fushatave zgjedhore tyre premtuan se do të ketë ndryshme në kushtetutë sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe më pas do krijohej mundësia për formimin e një komisioni për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe, sërish një gjë e tillë nuk është paraparë as me ligjin e ri të gjuhëve.

Ndërkaq dy vite më parë Ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, pat vizituar Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni ku u takua me drejtorin Skender Asani, ku u bisedua për kërkesën e Institutit për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe, por sërish asgjë as nga kjo.

A do të bastardohet edhe me ligjin e ri gjuha shqipe?!

Krahas problemit të mungesës së lektorëve të licencuar, zëdhënësi i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Gajur Ramadani nxori në pah edhe vështirësi të tjera të përdorimit praktik të ligit të ri të gjuhëve në Maqedoni, veçanërisht nga nëpunësit aktual shtetërorë, të cilët tashmë janë mësuar të sjellin vendime në gjuhën maqedonase.

“Përdorimi praktik i ligjit të gjuhëve është sfidë e madhe veçanërisht për shqiptarët që tashmë janë të punësuar në administratë shtetërore e të cilët janë mësuar që vendimet t’i sjellin në gjuhën maqedonase. Sfidë paraqet edhe ajo se si do të arrijmë që për një kohë të shkurtër të ndryshojmë miratimin e vendimeve nga gjuha maqedonase në atë shqipe, kur fillimisht duhet adaptim i terminologjisë, kurse nga ana tjetër kemi të bëjmë me urgjencë kohore”, tha Ramadani. Ai shtoi se në institucione shtetërore nuk është problemi i vullnetit të përdorimit të ligjit të gjuhëve, por se si do të përdoret gjuha shqipe, sepse “duhen njërëz të aftë”.

Në lidhje me përdorimin e duhur praktik të ligjit të gjuhëve, profesoresha universitare Ajtene Qamili tha se ajo mund të arrihet me trajnim shtesë dhe të vazhdueshëm të nëpunësve shtetërorë.

“Unë mendoj se në Maqedoni ka kapacitet për formimin agjencisë për zbatimin e ligjit të gjuhëve. Kuadro ka, por problemi qëndron te cilësia, por me trajnime shtesë dhe të vazhdueshme mund të arrihet edhe ajo”, tha Qamili.

Ndërkaq, ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski ditë më parë tha se me strategjinë katërvjeçare që pritet të realizohet gjatë periudhës kohore 2018-2022 nuk janë paraparë hapa konkret për edukim të administratorëve të cilët do të jenë përgjegjës për realizim të ligjit të gjuhëve.

“Është marrë parasysh edhe zgjidhja ligjore e ligjit të gjuhëve, kështu që absolutisht do të mund të përfshihet në pajtueshmëri me ligjin në fjalë. Edukimi i administratorëve nuk parashihet me këtë strategji. Sërish ligji i gjuhëve dhe zbatimi i ligjeve udhëhiqet në kuadër të ministrive, me këtë strategji nuk kemi paraparë hapa aq konkrete për edukim të dikujt që të zbatohet ligji i caktuar”, tha Mançevski, kurse ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji tha prerë: “me rëndësi është që të jenë njerëz që e njohin gjuhën shqipe që kjo e fundit të mos bastardohet”.

Se gjuha shqipe u bastardua në Maqedoni, tregoi edhe rasti i fundit, publikimi i pullës postare për 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ndryshe, më shumë se 1,7 milionë euro do të shpenzohen për zbatim të tërësishëm të ligjit të përdorimit të gjuhëve, kurse vetëm për formim të Agjencisë për Zbatim të Ligjit të Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve do të shpenzohen 260.000 euro nga buxheti shtetëror. Siç edhe sqarohet në ligjin e gjuhëve që mund ta lexoni më poshtë, një pjesë e të punësuarve në këto dy institucione do të sillen nga institucione tjera, kurse më së shumti nga sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga Qeveria e Maqedonisë thanë me këmbëngulësi se punësime të reja nuk do të ketë, pasi që të punësuarit në dy institucionet do të merren nga institucionet tjera, mirëpo nuk përjashtohet mundësia e punësimeve të reja.

Më 11 janar me 69 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “të përmbajtur”, në mungesë të VMRO-DPMNE-së, në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar edhe ligji për përdorimin e gjuhëve, i njëjti shkoi në dekretim te kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili e ktheu prapa në Kuvend me vërejtje të sqaruara në 14 faqe. Ligji i gjuhëve në lexim të tretë, në seancë plenare do të jetë më 29 janar ndërkohë që për pengesën e miratimit të të njëjtit, me amandamente paralajmëroi opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE që erdhi pasi që nga Qeveria e Maqedonisë dje ftuan të njëjtën që të bëhet pjesë në leximin e tretë të ligjit të gjuhëve dhe njoftuan se: “Ligji për përdorimin e gjuhëve pasi të kalojë në leximin e tretë në Kuvendin e Maqedonisë do të shkojë për shqyrtim në Komisionin e Venedikut, vërejtjet e të cilit do të plotësojnë ligjin e gjuhëve”. Vlerësimi nga Venediku mund të sillet më së shpejti në muajin mars.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Ligjin e gjuhëve mund ta lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button