Kosova e Tajlanda së shpejti me marrëdhënie diplomatike?

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës në Tajlandë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Qeverisë së Mbretërisë së Tajlandës, shoqërisë civile dhe me shumë diplomatë dhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Një takim të veçantë, ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Tajlandës, Jullapong Nonsrichai.

“Procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është i pakthyeshëm. Me njohjen e Kosovës, Mbretëria e Tajlandës dhe shtetet tjera të Azisë do të kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe Evropë”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana tjetër zëvendësministri Nonsrichai ka siguruar ministrin Hoxhaj se shumë shpejt të dy vendet do të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Një takim tjetër ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Medieve, ambasadorë dhe shumë personalitete të jetës politike dhe publike të Tajlandës.

Ministri Hoxhaj ka informuar ata për zhvillimet në Kosovë, për shtetndërtimin dhe për përpjekjet e Kosovës për të përmbyllur procesin e njohjes së pavarësisë.

Një ditë më parë, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Tajlandës. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button