Ndërmjetësuesi për emrin, Nimic, konfirmoi se do t’i vizitojë Shkupin dhe Athinën

Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për kontestin e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, Methju Nimic, mbrëmë nëpërmjet një kumtese e ka konfirmuar se do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Athinë dhe Shkup, njofton Portalb.mk.

“Me ftesë të Greqisë dhe IRJ Maqedonisë, i dërguari special i sekretarit gjeneral të NATO-s, Methju Nimic do të qëndrojë në Athinë dhe Shkup në periudhën prej 29 janar deri më 1 shkurt si pjesë e përpjekjeve të OKB-së që t’u ndihmojë të dyja palëve që të gjejmë zgjidhje të pranueshme për emrin”, thuhet në kumtesë.

Nimic më 31 janar do të arrijë në Shkup, ndërkaq ditën e ardhshme do të ketë takim me kreun shtetëror.

Përpara arritjes së Nimicit, për të shtunën, më 27 janar, është caktuar takim i liderëve ku sipas njoftimeve do të mbahet të shtunën në Klubin e Deputetëve në Shkup. Në këtë takim, në të cilin do të diskutohet për kornizën e ndërmjetësuesit të OKB-së në kontestin për emrin Methju Nimic, do të marrin pjesë kryeministri Zoran Zaev, presidenti Gjorge Ivanov, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ndryshe, Nimic viziton të dyja palët pas përforcimit të dinamikës për zgjidhjen e çështjes së emrit i cili ka ka bllokuar rrugën euro-atlantike të Maqedonisë tanimë 25 vite.

Dje në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik, janë takuar kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, në të cilin takim është biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme.

Zaev - Cipras
Zaev – Cipras

Kryeministri Zaev është decid – identiteti nuk është subjekt i negociatave. Kolegu i tij nga Greqia, Cipras përsëri qartë tha – zgjidhja duhet të jetë për përdorim të përgjithshëm, transmeton Portalb.mk.

Zaev tha se në takim është shprehur edhe vullneti i mirë dhe përgatitja e Maqedonisë të tregojë se me të vërtetë ka vullnet për zgjidhjen e kontestit dhe pr atë siguroi se do të ndryshohet emri i Autostradës dhe Aeroportit të Shkupit të cilët mbajnë emrin “Aleksandri i Madh”.

“Me qëllim që konkretisht të tregojmë se jemi të përgatitur në procesin e zgjidhjes dhe qeveria do ta ndryshojë emrin e Aeroportit të Shkupit dhe Autostradës, kjo e fundit do të quhet “Autostrada e Miqësisë”, tha Zaev.

Nga ana tjetër Cipras theksoi se nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre, edhe pse përpiqen për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Po afrohemi drejt fundit të negociatave. Greqia do ta përkrah Maqedoninë në rrugën për në NATO, por nuk do të heqim dorë nga qëndrimet tona. Do ta përkrahim kandidaturën e vendit tuaj për kyçje drejt iniciativës dhe ratifikimit të pjesës së dytë të marrëveshjes për anëtarësim drejt BE-së në Kuvendin grek”, deklaroi Cipras.

Cipras nuk e harroi as irredentizmin, por tha se patjetër duhet të ndërpritet.

“Jo vetëm që duam ta zgjidhim kontestin e emrit por ne do të donim t’i vendosnim bazat dypalëshe në një bazë solide të respektit të ndërsjellë. Që do të thotë se në fillim duhet të përballemi me irredentizmin në të gjitha format e tij dhe gjithsesi me garanci se nuk do të lëmë asnjë dritare të hapur që të krijohen provokimi në të ardhmen”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button