VMRO-DPMNE-ja kthehet në Kuvend: do të pengojmë miratimin e ligjit të gjuhëve

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Mitko Jançev nëpërmjet konferencës për media që u realizua sot, nga selia e partisë, ka njoftuar se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të riulet në karriget e Kuvendit të Maqedonisë më 29 janar me qëllim që të pengohet miratimi i ligjit, siç e quajnë ata, antikushtetues të ligjit të gjuhëve, njofton Portalb.mk.

“Me qëllim që të ndalohet politika destruktive, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të kthehet në karriget e Parlamentit që të propozojë amendamente, ku do të përpiqet që të parandalojë miratimin e ligjit antikushtetues. Me praninë tonë në Kuvend, do të përpiqemi që t’i bindim deputetët për rreziqet e miratimit të ligjit të gjuhëve. Kjo bëhet se ligji i gjuhëve që del nga Marrëveshja e Ohrit do të vendos në pozitë jomeritore turqit, vllehtë, boshnjakët”, tha Jançev.

Jançev vlerësoi se ligji i gjuhëve është duke u miratuar me forcë dhe se i njëjti është në dëm të VMRO-DPMNE-së, por edhe të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

“Qëllimi që propozuesit me forcë të miratojnë ligjin e gjuhëve, nuk është në dëm vetëm të VMRO-DPMNE-së, por edhe të Republikës së Maqedonisë. Vendimi i Qeverisë që të mos e kthejë pas ligjin e gjuhëve dhe të mos hap debat konstruktiv për ligjin mund të nxisë pasoja afatgjate për shtetin e Maqedonisë dhe të dëmtojë kohezionin ndërmjet qytetarëve. VMRO-DPMNE-ja qëndron në anën e qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë dhe për këtë do të bëjë çmos për mbrojtjen e interesave të shtetit tonë”, tha Jançev.

Ky reagim i VMRO-DPMNE-së vjen pasi që zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski tha se: “Ligji për përdorimin e gjuhëve pasi të kalojë në leximin e tretë në Kuvendin e Maqedonisë do të shkojë për shqyrtim në Komisionin e Venedikut, vërejtjet e të cilit do të plotësojnë ligjin e gjuhëve”, dhe ftoi deputetët e opozitës maqedonase që të kthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në debatin për amandamentet e ligjit të gjuhëve.

“Ne vlerësojmë se ligji i gjuhëve është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, i votuar në atmosferë demokratike, i përkrahur nga shumica parlamentare dhe se i njëjti është në kuadër të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”. Sërish do të shfrytëzoj rastin që të thërras deputetët e opozitës, të marrin pjesë në atë seancë, në lokacionin dhe institucionin ku mund dhe duhet ta bëjnë dhe të marrin pjesë në debatin për amendamente”, tha Boshnjakovski.

Përndryshe, leximi i tretë i ligjit të gjuhëve do të mbahet më 29 janar.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, ligji i gjuhëve shkon në seancë plenare, pa diskutim në komisione kuvendore, kurse amendamente mund të parashtrohet në Nenet, të cilat janë diskutabile nga kryetari i Maqedonisë.

Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë mosdekretimit të ligjit të gjuhëve dhe në parashtrimin e ankesave deri te Kuvendi i Maqedonisë dërgoi 21 vërejtje, në 19 Nene prej 25 sa janë në tërësi duke u sqaruar në 14 faqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button