Të shtypur nga Serbia, të bllokuar nga Kosova (Video)

Teksa Serbia vazhdon arrestimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Qeveria e Prishtinës ende nuk ka hequr policat kufitare prej 60 euro për shqiptarët e asaj pjese.

Në këtë mënyrë shqiptarët e jugut të Serbisë trajtohen si shtetas të huaj për Prishtinën, ndërkohë Serbia vazhdon t’i privilegjojë serbët e Kosovës. Për më tepër shqiptarët nuk mund të hyjnë apo të dalin nga Kosova pa pasur pasaportë.

Në pikën kufitare që çon në qytetin e Preshevës, para marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kalimi i kufirit bëhej vetëm me letërnjoftime të Serbisë. Ndërkohë, pas marrëveshjes në këtë pikë autoritetet kosovare nuk lejojnë kalimin pa pasaportë të Serbisë apo të Kosovës.

“Mos incizoni ky është kufi. Zonjë, pasaporta juaj me duhet. Nuk mund të kaloni pa të. Ne këtu kemi urdhër. Nga këtu nuk kalohet më pa pasaportë, me letërnjoftim mund të kaloni vetëm te Dheu i Bardhë”, ka arsyetuar një polic kufitar i Kosovës kur ekipi i Top Channel kishte tentuar ta kalojë kufirin vetëm me letërnjoftime të Serbisë.

Kjo që po ndodh në këtë pikë kufitare, sipas Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, nuk do të duhej të ndodhte. Nëpërmjet një bisede telefonike, Rexhepi ka thënë se iu është kërkuar zyrtarëve doganorë që shqiptarëve të Luginës t’u lejohet hyrja dhe dalja vetëm me letërnjoftime.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Top Channel se qeveria është duke pritur përgjigje nga shoqata e sigurimeve për lirimin e policave kufitare.

Marrëveshja e arritur për lëvizjen e lirë duket se ka lehtësuar udhëtimin e kosovarëve që duan të vizitojnë Serbinë, por ka vështirësuar tej mase qarkullimin i shqiptarëve të Luginës të cilët destinacion e kanë Kosovën. Kalimi i kufirit serb pa pasaportë vlen vetëm për dy pikat: atë të Merdarës dhe te Dheu i Bardhë, çka konfirmohet edhe nga Policia e Kosovës. /TCH/Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button