Nderim për ata që sollën lirinë e Kosovës

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit, nën organizimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, sot është mbajtur akademi përkujtimore, në të cilën u tha se kujtimi për dëshmorët është shumë i rëndësishëm pasi pa sakrificat dhe gjakun e tyre do të ishte e pamundur që të jetohet në një Kosovë të lirë dhe demokratike.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, theksoi se për të mbajtur gjallë kujtimin e dëshmorëve kjo datë duhet të festohet në të gjitha ato pjesë ku ranë, luftuan e qëndruan heronjtë e dëshmorët e vendit tonë.

Ndërsa potencoi se duhet të insistohet që në vendet udhëheqëse tona të zgjedhën njerëz të cilët në rend të parë e kanë qëllimin kombëtar.

“Në emër të popullit të thjeshtë, në emër të shqiptarëve të Kosovës përshëndes veteranët tanë, invalidët të cilëve shoqëria jonë ende u ka borxh. Ende nuk jemi në gjendje që t’i trajtojmë ashtu si e meritojnë, mirëpo besojë se ata nuk luftuan për të fituar diçka. Ata vendosën të vdisnin por rastësisht shpëtuan dhe mund të jenë këtu me ne. Këto manifestime që i bëjmë ne e kanë rëndësinë e tyre, mirëpo këto manifestime ne na obligojnë që të mendojmë të gjithë ne se brenda këtij viti çfarë bëmë ne për kombin tonë”, ka thënë Demaçi në akademinë përkujtimore, në të cilën morën pjesë familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, përfaqësues të institucioneve vendore, të KFOR-it, si dhe mysafirë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Demaçi, po ashtu shtoi se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nuk po trajtohen si duhet, duke kritikuar institucionet gjegjëse se nuk kanë bërë aq sa duhet për mirëqenie e tyre. Ai po ashtu nuk pajtohet me deklaratat e politikanëve tanë kur thonë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, pasi, sipas tij, për një pjesë të vendit ende nuk po mund të vendosin vetë, ai, transmeton Kosovapress.

Për ta nderuar këtë datë, e cila i dedikohet të gjithë dëshmorëve të kombit, nga Shqipëria kishte ardhur gjeneral Kudusi Lama, i cili mbajti një kumtesë për rëndësinë e datave të këtilla siç është 5 maji, për vlerën madhore kombëtare të të rënëve për lirinë e atdheut.

Ndërsa ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Hysni Shaqiri, ka thënë se kujtimi për dëshmorët është shumë i rëndësishëm, pasi pa sakrificat dhe gjakun e tyre do të ishte e pamundur që të jetohet në një Kosovë të lirë dhe demokratike.

Në emër të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të pranishmit i ka përshëndetur kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve Xhavit Jashari, i cili ka thënë se 5 maji do të jetë dita që bashkon të gjithë të rënët për liri dhe për çlirimin e tokave shqiptare pa marrë parasysh se nga cili armik ishin të pushtuara tokat e gjeografisë kombëtare shqiptare. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button