Jahjaga: Arrestime politike të shqiptarëve në Luginë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shpreh shqetësimin e saj për aksionin e dhunshëm të Policisë së Republikës së Serbisë në Luginën e Preshevës, e banuar me shumicë dërmuese shqiptare dhe arrestimin e disa të rinjve shqiptarë nën akuzën për krime të luftës.

Presidentja vlerëson se aksioni ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri tek popullata shqiptare duke nxitur shpërnguljen e saj nga trojet e veta, në këtë pjesë të shtetit të Serbisë dhe duke ia mohuar të drejtat e saj legjitime.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Serbisë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa frikë nga përndjekjet policore. 

Deklaratat e zyrtarëve të Republikës së Serbisë nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë. Pozita e komunitetit serb në Kosovë dhe ajo e komunitetit shqiptar në Serbi duhet të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Presidentes Jahjaga

Presidentja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe që ta zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Konçulit, të lirojnë menjëherë të gjithë të arrestuarit dhe që shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u sigurojnë të gjitha të drejtat qytetare dhe kombëtare, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet demokratike dhe ashtu si bënë Republika e Kosovës me të gjitha komunitetet etnike.

Presidentja fton shqiptarët e Luginës së Preshevës, që duke respektuar ligjet e vendit dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunat e Medvegjes, të Bujanocit dhe të Preshevës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e vet legal dhe legjitim, të kenë pushtetin në këto troje, në mënyrë që vet të vendosin për të ardhmen e tyre. “Në këtë si gjithë herë do ta kenë përkrahjen e Republikës së Kosovës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button