Nëse Bayerni fiton finalen, gjobitet me 9 milionë euro

Skuadra e Bayern Muenchenit po përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve, që më 19 maj e luan kundër Chelseat në stadiumin e saj “Allianz Arena”. Mirëpo, nëse Bayerni triumfon, atëherë në kurriz të kësaj skuadre do të përfitojnë edhe dy ekipet rivale të Bundesligës.

Me fitoren eventuale të Bayernit në Ligën e Kampionëve, UEFA me sukses do të shpërblejë bavarezët me nëntë milionë euro. Mirëpo, gjithë këtë shumë Bayeni do të jetë i detyruar ta shpërndajë nëpër xhirollogari të skuadrës së Schalkes dhe Hoffenheimit.

Kur Schalke shiti portierin Manuel Neuer para fillimit të këtij edicioni, pati futur një klauzolë në kontratën e lirimit. Schalke pati kërkuar bonuse të majme në rast të suksesit të Neuerit me Bayernin në Ligën e Kampionëve, edhe pse përfitoi 22 milionë euro dëmshpërblim nga kjo shitje.

Bayerni qysh tash ia ka borxh skuadrës së Schalkes dy milionë euro për shkak se Neuer me ekipin bavarez është kualifikuar në gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, madje ka arritur edhe në finale.

Nëse Bayerni fiton edhe në finale, atëherë Schalke do t’i marrë edhe katër milionë euro të tjera bonus apo në total gjashtë milionë euro.

Mirëpo Bayerni ka edhe borxhlinj të tjerë të këtij lloji. nëse merr ligën e Kampionëve, Bayerni do duhet të “qerasë” edhe Hoffenheimin me tre milionë euro, pasi kështu ishte paraparë në kontratën e lirimit për mesfushorin Luiz Gustavo. Hoffenheimi tashmë ka siguruar një milion euro, pasi Gustavo me Bayernin ka luajtur në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa nëse fiton edhe finalen, atëherë bavarezët do t’i paguajnë edhe dy milionë euro të tjera shtesë, në total tre milionë euro.

Kjo do të thotë se shpërblimi prej nëntë milionë eurosh nga UEFA në rast triumfit në Ligën e Kampionëve do të jetë një humbje financiare për Bayernin. Nëse nuk triumfon në Ligën e Kampionëve, atëherë Bayerni do të marrë shpërblim prej 5.5 milionë eurosh nga UEFA, kurse Schalkes e Hoffenheimit do t’i paguajë në total tre milionë euro bonuse./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button