Ministria e Drejtësisë ndryshoi mendje – e largoi propozim-ligjin për referendum nga REVN

Ministria e Drejtësisë ndërroi mendje. Nga Regjistri Elektronik i Vetëm Nacional (REVN) e larguan iniciativën për ndryshim të ligjit për referendum dhe shprehjeve tjera të drejtpërdrejta të qytetarëve, e cila është publikuar dje. Nga Ministria e Drejtësisë, pas shpërndarjes së lajmit, kanë dërguar “demant” në të cilin nuk demantohet informata e publikuar, por sqarohet se për çfarë ndryshime bëhet fjalë, njofton Portalb.mk.

Në kumtesë shkruan se ndryshimet të cilat kërkohen kanë të bëjnë me harmonizimin e Kodit Zgjedhor.

“Me ndryshimet e propozuara të Ligjit për referendum dhe format  e  tjera të shprehjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve po bëhet harmonizimi i  tekstit  të  Ligjit me Kodin Zgjedhor dhe lihen  ose tejkalohen disa zgjidhje të vjetruara, për arsye se  Ligji për referendum dhe format e  tjera të shprehjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve  është miratuar në shtator të vitit  2005, ndërsa Kodi Zgjedhor në mars të vitit 2006. Në ndryshimet e propozuara të nenit 1, nenit 2, nenit 3 dhe nenit 4 të Ligjit për referendum dhe forma të tjera të shprehjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve po bëhet harmonizimi me Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor u botua më 31 mars 2006 dhe Kodi hyri në fuqi që ditën kur u botua në Gazetën Zyrtare. Me ditën e publikimit të Kodit Zgjedhor, ndaluan së  vlejturi   Ligji  për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Ligji për zgjedhjen e deputetëve  në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Ligji për zgjedhjet lokale, Ligji  për listën zgjedhore, Ligji  për vendvotimet dhe Ligji  për njësitë zgjedhore  për zgjedhjen e deputetëve  në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Me ndryshimet e propozuara në nenet 5 dhe 6 të Ligjit për referendum dhe forma të tjera të shprehjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve,  bëhet  harmonizimi i ligjit të propozuar  me Ligjin për gjykatat. Në Ligjin për gjykatat, i cili u botua në maj të vitit  2006 në nenin 22, përveç gjykatave ekzistuese, u  themelua  edhe  Gjykata Administrative. Neni 34 i Ligjit për gjykatat rregullon kompetencat e Gjykatës Administrative. Në të vërtetë, me ndryshimet e lartpërmendura, kompetenca për zgjidhjen e kontesteve  administrative nga Gjykata Supreme ka kaluar  në  Gjykatën Administrative”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Në fund të kumtesës ata shtojnë se “në kontekst të së cekurës, theksojmë se me ndryshimet  e propozuara të Ligjit për referendum dhe forma të tjera të shprehjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve,  rregullohen  çështjet që janë me rëndësi për zbatimin praktik të ligjit dhe përshtatjen teknike të tekstit të ligjit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button