Dy balerinat e vogla nga Shkupi triumfuan në Gjermani

Në qytetin Koln të Gjermanisë janë mbajtur garat ndërkombëtare për vallëzim, ku u prezantuan edhe dy balerina të vogla nga Shkupi. Dy balerinat Eda Kaliqi dhe Dua Mahmudi, prezantuan talentin e tyre në garën ndërkombëtare dhe arritën të stolisen me çmime. Në këtë garë ku kanë marrë pjesë diku rreth 120 pjesëmarrës nga 10 shtete dhe 22 shkolla të ndryshme të baletit, balerinat nga Shkupi janë prezantuar në dy kategori, balet klasik dhe vallëzim modern.
Dua ka arritur të fitojë çmimin e tretë në të dyja kategoritë, ndërsa Eda arriti të fitojë çmimin e tretë në kategorinë e baletit. Të dyja paraprakisht kanë fituar disa çmime në garat vendore, përcjell Portalb.mk.

Në përkrahje të dy balerinave të vogla ka dalë drejtoresha e Qendrës Informative Kulturore, Sermine Purrini e cila në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka bërë një thirrje për të gjitha institucionet por edhe individët të tregojnë më shumë përkrahje për talentet e rinj nga të gjitha sferat.

“Të marrësh pjesë në një garë ndërkombëtare padyshim se është një gjë e cila na bën të gjithëve krenarë por edhe se na jep një detyrë tjetër neve si qytetarë. Ne të gjithë, si individët, si institucionet kulturore dhe pse jo edhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, duhet ti përkrahim maksimalisht, qoftë moralisht por edhe në aspektin e mbështetjes financiare sepse talentët e rinj, qofshin sportistë, qofshin artistë, qofshin talentë të fushave të ndryshme, të gjithë duhet përkrahur pa rezervë. Dhe, mos të harrojmë se këta fëmijë janë e ardhmja jonë sepse jam e sigurtë se një ditë do na bëjnë shumë krenarë në mbarë botën”, është shprehur drejtoresha e Qendrës Informative Kulturore, Sermine Purrini.

Eda Kaliqi dhe Dua Mahmudi janë pjesë e shkollës së baltit “Balerina” në Shkup, ndërsa bashkë me instruktoren e tyre Maja Karevska, po përgatiten edhe për paraqitje të tjera si në vend ashtu edhe jashtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button