Rusi, 12 të vrarë në shpërthime

Të paktën 12 persona mbetën të vrarë në dy shpërthime të ndodhura në periferi të Makhaçkalës, kryeqyteti i krahinës së trazuar ruse të Dagestanit. 

Shpërthimi i dyfishtë, i ndodhur në orët e vona të së enjtes shënjestroi një postbllok policie në dalje të qytetit. Sipas burimeve mjekësore, janë të shumtë edhe njerëzit e plagosur.

Mediat ruse raportojnë se goditja e parë ndodhi kur një makine iu kërkua të ndalonte për të verifikuar dokumentat e shoferit. Gjatë kontrollit, mjeti shpërtheu.

20 minuta më pas, një shpërthim i dytë, i një kamioni të mbushur me eksplozivë, shkaktoi viktima të reja. “Pjesë të mbetjeve njerëzore janë përhapur në një perimetër prej dhjetëra metreash nga zona e shpërthimit. Është e pamundur që viktimat të njihen”, deklaroi një banor vendas për agjensinë “Interfax”.

Dagestani dhe Republikat fqinje të Ingushetisë dhe Çeçenisë janë përfshirë nga pasiguri e lartë dhe dhunë në vitet e fundit, si rrjedhojë e përplasjeve midis forcave ruse të sigurisë dhe militantëve islamikë që kërkojnë të themelojnë një shtet të pavarur.

Asnjë grup nuk ka marrë ende përsipër përgjegjësinë e sulmeve, ndonëse në Dagestan ngjajet të tilla nuk janë të rralla, pasi krahina me shumicë muslimane konsiderohet si një prej më të pasigurtave në botë.

Lajme të ngjashme

Back to top button