Ahmeti tregon se a do të largohet nga Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje u ballafaqua me një valë dorëheqjesh të deputetëve të saj nga funksione të ndryshme brenda partisë, por jo edhe nga posti i deputetëve.

Veç deputetëve, dorëheqje nga postet në VV dha edhe kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e një gjë të tillë u raportua se mund ta bëjë edhe kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Madje së fundi u raportua se Ahmeti, nga Vetëvendosje do të kalojë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, mirëpo një gjë të tillë sot e mohoi personalisht.

Në një prononcim për Koha.net, ai konfirmoi se nuk e ka fare në plan të largohet nga Vetëvendosje e aq më pak të shkojë në AAK, aty ku disa medie raportonin se do të kalojë.

“Asgjë nga ato që thuhet nuk është e vërtetë. E kam thënë edhe njëherë që nuk ka pas as biseda e as ndonjë iniciativë për të kaluar në AAK”, tha Ahmeti për Koha.net, duke shtuar se nuk ka asgjë të re as për në ndonjë parti tjetër.

Në ndërkohë portali sot gjatë ditës mori vesh edhe nga një burim brenda VV-së se Ahmeti s’e ka biseduar fare kalimin e tij të mundshëm në AAK, madje se është e sigurt se nuk do të kalojë në ndonjë parti tjetër.

Kujtojmë se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni me AAK-në për Komunën e Prishtinës.

Sot gjatë ditës, AAK-ja njoftoi se zgjedhjet e brendshme do të mbahen në periudhën shkurt – maj 2018, ku ndër të tjera bëhej thirrje se “kush mendon se mund të jap kontributin e vet, është i ftuar në këtë parti”.

“Ishte vlerësim unanim që AAK të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që besojnë se kontributin e tyre për proceset politike në parti dhe në vend mund ta japin përmes kësaj partie”, thuhej në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button