Policia e Kosovës përgënjeshtron mediat serbe: S’ka të arrestuar për posedim armësh në Llapnasellë

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe se sot në Llapnasellë janë arrestuar shtetas të Kosovës, për shkak se u janë zënë armë dhe municione.

Në sqarimin e saj për media thuhet se në dalje të autostradës në Veternik është ndaluar një veturë, për shkak se ajo ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi për posedim armësh apo municionesh.

Për më shumë, sipas policisë, në atë kohë eskorta e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në Mitrovicën Veriore, pra nuk ka qenë as afër vendit ku ka ndodhur ky arrestim.

Policia e Kosovës (PK), e adreson këtë informacion zyrtar për media me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku shkruhet se në Llapna Sellë janë shoqëruar (ndaluar) shqiptar të cilëve iu janë marrë (gjetur) armë,  dhe lidhur me këtë sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e ndalimit të një automjeti civil i cili ka penguar qarkullimin e delegacionit.

Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në para përcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare.

Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policor, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme.

Vlen të potencohet se nuk ka qenë eskorta e presidentit të Serbisë pasi që e njëjta deri në këtë kohë gjendet në rajonin e Mitrovicës Veri.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button