Kina si alternativë e rradhës

Paralajmërimet e kryeministrit Nikolla Gruevski për përforcimin e bashkëpunimit politik me Kinën, të cilat u shprehën gjatë Forumit afarist “Polonia-Evropa qendrore-Kina” kaluan pa trajtimin e merituar, duke e marrë parasysh peshën e deklaratave dhe orientimin e politikës së jashtme të Maqedonisë. 

Që në fillim, duhet thënë që nuk ka asgjë të keqe në bashkëpunimin ekonomik me Kinën. Ajo që zgjon dyshime, është natyra e deklaratave për bashkëpunim politik, në kohën kur lobimet për integrime euro-atlantike kufizohen me vizita në shtetet si Lituania dhe Letonia, që ndonëse kanë votën e tyre në NATO dhe BE, nuk kanë peshë vendim-marrëse si për shembull Gjermania ose Franca.

Për më tepër, tema dhe natyra e diskutimeve të Forumit në Poloni janë përqendruar në ekonomi, pikërisht për shkak të dallimeve në fushën politike mes Kinës dhe shteteve të Evropës qendrore, ku shumica e shteteve tashmë janë anëtare në NATO dhe BE. Në këtë drejtim, duhet analizuar natyra e përkrahjes politike kineze, për të cilën tashmë i është falënderuar Kryeministri i Maqedonisë kolegut të tij.  

Sipas komunikatës zyrtare ku citohet kryeministri, Evropa dhe Kina ndajnë disa vlera të përbashkëta, ku thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të bazuara mbi drejtësinë dhe të drejtën ndërkombëtare është në interes të përparimit global. Nuk ka dyshim që bashkëpunimi mes shteteve e përforcon stabilitetin në nivel botëror, por mbetet pyetja se cilave vlera ju referohet Kryeministri Gruevski. 

Drejtësia dhe e drejta ndërkombëtare e shprehur përmes vetos së Kinës ishte ajo që e pamundësoi Rezolutën e Kombeve të Bashkuara mbi Sirinë në muajin shkurt, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështetësit tjerë të Maqedonisë, përfshirë edhe disa prej 12 anëtarëve të NATO-së që ishin të përfaqësuara në Samitin në Poloni. 
Ndërkohë që Maqedonia e shfrytëzon argumentin e të drejtës ndërkombëtare në aspekt të vendimit të GJND-së kundrejt integrimit të synuar në NATO, duket e tepërt që progresi global të ndërtohet me Kinën, kur kjo e fundit kundërshton mbarë botën në përpjekjet e parandalimit të përshkallëzimit sirian. 

Mbi të gjitha, Qëllimet dhe Prioritetet Strategjike të politikës së jashtme të Maqedonisë e përcaktojnë fokusin tek integrimi euro-atlantik dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, andaj bashkëpunimet kundërthënëse politike jo vetëm që tregohen joadekuate, por edhe shprehin jo seriozitet ndaj politikës tashmë të përcaktuar si zyrtare. 

Shikuar nga prizmi pragmatik, kriza ekonomike detyron shumë shtete, mes të cilave edhe disa të Bashkimit Evropian, të kërkojnë ndihmë nga kuçedra e Lindjes së largët. Anash bisedave dhe shpresës evropiane për mbështetjen ekonomike që mund të vjen nga Kina, dimensioni politik çdoherë mbetet i paprekur ose i heshtur, por asnjëherë jo i theksuar tej mase. Madje edhe atëherë kur pritet ndihma kineze për euron, fusha politike nuk shihet si mundësi bashkëpunimi, të paktën jo për tani.

Ndërkohë që bashkëpunimi ekonomik dhe politik me Kinën mund të maskohet si ikje nga ngërçi në integrimet euro-atlantike, që në fakt edhe interpretohet si e tillë nga disa proponentë mediatik qeveritarë, reputacioni i Maqedonisë nuk e garanton këtë. Së pari, këto afrime politike do ta rrënojnë edhe më tej pozitën e Maqedonisë në perëndim dhe Shtetet e Bashkuara si mbështetës të fuqishëm për integrimin në NATO dhe BE. Nga ana tjetër, dosja e Maqedonisë në Kinë mbetet përherë e ngarkuar nga prishja e marrëdhënieve në periudhën 1999-2001, kur Shkupi zyrtar vendosi raporte diplomatike me Tajvanin, që shkaktoi prishjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. 

Në rrethana të këtilla, afrimi politik me Pekinin zyrtar do të rezultojë me salto-mortale, ku Maqedonia do ta humbasë edhe atë pak kredibilitet të mbetur në perëndim, ndërsa marrëdhëniet me Kinën do të kërkojnë edhe shumë vite për ta dëshmuar seriozitetin e orientimit të politikës së jashtme të Maqedonisë. Mbase në këtë drejtim, dy vendet mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën në fushën politike, ku pa dallim nga fuqia e pamohueshme e Kinës dhe lëkundjet tradicionale të Maqedonisë, dy vendet kanë një veçori të përbashkët: mungesën e aleatëve dhe mbështetësve konsekuentë në nivel global.  

Përfundimisht, gjatë gjashtë viteve të kaluara, ky është takimi i dytë i Kryeministrit Gruevski me kolegun e tij kinez – që të dy takimet të realizuara në samite ekonomike multilaterale (në Dalian të Kinës në vitin 2009 dhe tani në Poloni). Ndërkohë që Maqedonia nuk ka treguar kapacitet dhe motivim për nxitjen e ndonjë vizite të kryeministrit kinez – anash kontributit ndaj marrëdhënieve bilaterale me Kinën nga nënkryetarja e Qeverisë përgjegjëse për integrim në BE – nuk mund të anashkalohet fakti që vizitat amerikane e kanë eskivuar Shkupin tash e sa vite. 

Si për krahasim, pas paralajmërimit nga Sekretarja amerikane të Shtetit Hillary Clinton për vizitën e Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Maqedonia do të mbetet shteti i vetëm i rajonit që nuk është vizituar nga Sekretarja hiper-aktive amerikane. Rastësi? Ndoshta. Por ia vlen të mendohet arsyeja dhe të krahasohet kjo kundrejt prioriteteve të shumë-përsëritura. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button