Strugë, fillon greva e përgjysmuar në “Komunallno”

Mbetet e paqartë situata me grevën në Ndërmarrjen e higjienës ”Komunallno”, sepse një pjesë e punëtorëve të organizuar nga Sindikata, prej sot në mëngjes refuzojnë t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme dhe po mbështesin grevën e caktuar nga kjo organizatë e punëtorëve. Ndërsa, pjesa tjetër e punëtorëve vazhdojnë t’i kryejnë detyrimet e përditshme si edhe më parë.

Nga Sindikata e punëtorëve të Ndërmarrjes së higjienës ”Komunallno” theksojnë se që nga sot pjesa me e madhe e punëtorëve janë në grevë të përgjithshme, në shenjë revolte ndaj mos pagimit të rrogave, kontributeve dhe mos mbajtjes së premtimeve, nga drejtori aktual i Ndërmarrjes Petko Kutanoski. Borçe Mazhimakoski, kryetari i Sindikatës të punësuarve në këtë Ndërmarrje publike komunale, thotë se prej sot  mbi pesëdhjetë punëtorë janë futur në grevë dhe do të refuzojnë t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme .“Ne gjatë ditës së djeshme realizuam edhe një takim me kryetarin e Ramiz Merko, të cilit ja bëmë të ditur që në rast se nuk paguhen rrogat e prapambetura,  Sindikata do shpall grevën e përgjithshme.

Gjithashtu një kërkesë e panegociushme e punëtorëve është edhe shkarkimi i drejtorit aktual Petko Kutanoski, kërkesë që ju përsërit edhe kryetarit të Komunës Ramiz Merko. Ne do të vazhdojmë me grevën deri sa të plotësohen kërkesat tona, dhe në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë lëshim, sepse punëtorët po ballafaqohen me probleme të theksuara sociale si rezultat i mos marrjes së pagave”, përfundon Mazhimakoski. Ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes së higjienës ”Komunallno” Petko Kutanoski, thekson se grevës së Sindikatës i janë bashkuar vetëm  një pjesë e vogël e punëtorëve, dhe në bazë të ligjeve në fuqi që rregullojnë këtë problematik ajo është e paligjshme.

”Udhëheqsia e Sindikatës do të mbajë përgjegjësi, dhe po manipulon me punëtorët sepse greva është e paligjshme, për faktin se asaj nuk ju bashkuan as edhe gjysma e të punësuarve tanë,dhe nëse ata që mbështesin këtë grevë të jashtëligjshme nuk kthehen në punë ndaj tyre do të veproj ligji”, thekson Kutanoski.

Drejtori i ”Komunallno” siguron qytetarët se qyteti do të vazhdoj të pastrohet si edhe më parë dhe në këtë drejtim nuk do të ketë probleme. Ai  thotë se kërkesa për dorëheqjen e tij është vetëm një dëshirë e Sindikatit sepse sipas tij ai vazhdon të ketë mbështetjen e shumicës të të punësuarve për të drejtuar këtë ndërrmarrje.Kutanoski i fton punëtorët të rikthehen në vendet e punës dhe të mos bëhen pjesë e makinacioneve dhe lojërave të një grupi të vogël që sipas tij nuk ja duan të mirën punëtorëve.Prej vitesh ”Komunallno” ballafaqohet me vështirësi të shumta financiare dukuri që ka sjellur vonesa në pagimin e rrogave të të punësuarve në këtë kompani publike komunale./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button