Shoqatat shqiptare në ShBA dhe Kanada letër të hapur Gruevskit

Nëntë shoqata shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja përmes një letre të hapur dërguar kryeministrit Gruevski, kërkojnë zbatim të ligjit gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarve shqiptarë, mos njollosjen e njerëzve pa fakte dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend. Ato kërkojnë që të ndërpritet vokabulari i deritanishëm i ministres së brendshme Jankullovska që të dyshuarit i ka quajtur radikalistë islamikë.

Shqiptaro-amerikanët i apelojnë ambasadës së SHBA-ve në Maqedoni të protestojë kundër këtij lloji të trajtimit ndaj komunitetit shqiptar, i cili përbën një pjesë e rëndësishme të popullatës në Maqedoni.

Në vazhdim e botojmë në formë integrale dhe të përkthyer në gjuhën shqipe letrën e hapur të shoqatave nga Amerika dhe Kanadaja.

I nderuari z. Kryeministër,
Ne, organizatat civile të nënshkruara më poshtë, të cilat veprojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, kemi ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet e fundit në Maqedoni, ku sipas raportimeve të mediave, janë arrestuar 20 shqiptarë myslimanë nga ana e organeve të shtetit.

Ne plotësisht i mbështesim autoritetet maqedonase në gjetjen e autorëve të vrasjes së pesë peshkatarëve maqedonas më 12 prill, 2012, por jemi të shokuar dhe tej mase të shqetësuar nga mënyra se si u bë arrestimi, nga trajtimi i të arrestuarve nga ana e forcave policore dhe nga mënyra se si të njëjtit u paraqitën para mediave nga ana e Ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankullovska. Deklaratat e atyre të cilët u arrestuan dhe më pas u lëshuan nga ana e policisë, si dhe incizime të tjera po transmetohen në media të ndryshme dhe më se e qartë është se ata po tregojnë një version krejtësisht tjetër nga versioni zyrtar.

Të arrestuarit u keqtrajtuan, u rrahën dhe nuk u lejohej të kishin qasje deri tek avokatët, duke përfshirë këtu edhe disa të arrestuar të moshës 64 vjeçe. Fati dhe Fuat Hasipi nga Hasanbegu dëshmuan para mediave për abuzimin fizik dhe religjioz me të cilin u ballafaquan nga ana e policisë. Policët meshkuj maqedonas të cilët morën pjesë në arrestimin e grave shqiptare i kanë kapur ato nëpër pjesë të ndryshme të trupit, duke mos i përfillur kështu të drejtat e tyre njerëzore dhe fetare.

Përveç kësaj, jemi të shokuar nga vokabulari të cilin e përdor Ministrja Jankullovska, duke i përshkruar ata si “përkrahës të islamizmin radikal, të cilët janë të rrezikshëm për krishterët dhe myslimanët.”

Në letër këto organizata gjithashtu shprehin edhe mendimin e tyre se Qeveria maqedonase po i keqtrajton shqiptarët dhe se në këtë aksion po synon një komunitet të tërë. 
Gjuha e luftës kundër terrorizmit është një maskë që Qeveria po përdor për një agjendë të fshehur dhe një mentalitet racist, që është e papranueshme për një shtet të civilizuar, thuhet në letër. 

Ne mendojmë se në qoftë se këto akuzime kundër shqiptarëve myslimanë vazhdojnë në shtetin tuaj, atëherë kjo mund të çojnë deri në diskriminim etnik dhe religjioz të shqiptarëve.
Ne ju këshillojmë ju dhe Qeverinë tuaj se bëhet fjalë për një keqpërdorim të drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

Nëpërmjet të kësaj letre gjithashtu apelojmë deri te ambasada e SHBA-ve në Maqedoni për të protestuar kundër këtij lloji të trajtimit ndaj komunitetit shqiptar, i cili përbën një pjesë e rëndësishme të popullatës në Maqedoni. Gjithashtu, kërkojmë që të gjithë të paraburgosurve t’iu lejohet qasja e duhur deri te avokatët dhe t’iu mundësohet një hetim dhe gjykim i drejtë. Poashtu, kërkojmë hetim të plotë të atyre policëve të cilët kanë keqtrajtuar të arrestuarit. 

Këto organizata përfundojnë letrën duke thënë se shpresojnë që kjo letër të merret në konsideratë nga ana e Qeverisë Maqedonase. 

Forumi shqiptar i Kanadasë, Kanada 
Organizata Humanitare Atlantike e Bronksit, SHBA
Fondacioni Atdhetarë Dibran, SHBA
Communaute Albanaise Du Quebev a Montreal, Canada
Fondacioni DedXhonluli, SHBA
Ndihma humanitareDrenica, SHBA
Shoqata Kraja, SHBA
Fondacioni Malsia, SHBA
Fondacioni PlavGuci, SHBA

/Portalb/

linku:

http://www.albforcan.org/2012/05/03/letter-of-protest-to-the-government-of-macedonia-regarding-the-treatment-of-muslim-albanians-by-the-macedonian-police/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button