Obama: Kosova me të ardhme premtuese

Ambasadori i ri i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili i ka dorëzuar letra kredenciale presidentit Barack Obama gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë. Në fjalët e tyre, Obama dhe Ismaili u shprehën në favor të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Washingtonit dhe Prishtinës.
 
Në fjalën e tij, Presidenti Obama theksoi se Kosova është shtet i ri me të ardhme premtuese. “Në katër vitet që nga pavarësia, Kosova ka pasur arritje të mëdha, duke i realizuar detyrimet e saj për krijimin e një shteti sovran, të pavarur dhe për të ndërtuar institucione demokratike dhe multietnike në shërbim dhe mbrojtje të interesave të të gjithë qytetarëve”, ka shtuar Obama, njofton “Express”.
Sipas kreut amerikan të shtetit, në Kosovë mbetet edhe shumë punë për t`u bërë, ndërsa u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të mbeten të përkushtuar për vazhdimin e progresit.
Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten përkrah Kosovës në përmbushjen e detyrave të vështira, të domosdoshme për avancimin e reformave. “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, që të mund të marrë vendin e saj që i takon brenda Evropës, e tërësishme, e lirë dhe në paqe”, ka thënë Obama.
Në fjalën e tij, ambasadori Ismaili ka përcjellë përshëndetjet e institucioneve të Kosovës.
 
Ismiali ka ritheksuar po ashtu orientimin e përhershëm të Kosovës që si shtet i pavarur dhe demokratik të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta me SHBA-të, bazuar në miqësinë dhe respektin e përhershëm për popullin amerikan dhe SHBA-të.
Ismajli është dekretuar ambasador i përhershëm e fuqiplotë i Republikës së Kosovës në SHBA muajin e kaluar nga presidentja Jahjaga. Ai është ambasadori i dytë i Kosovës në këtë vend. Deri më tani atje ka shërbyer Avni Spahiu./Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button