(EKSKLUZIVE) Tristan Halilaj: Gjakmarrja duhet ti takojë të kaluarës ndërsa Reali duhet ta fitojë Barcën

Intervistoi: Elida Zylbeari

Shkodrani Tristan Halilaj, edhe pse i ri në moshë ai mban në vete një bagazh me përvojë artistike. Ka luajtur në filmin shqiptar “Falja e gjakut” të shpërblyer ndërkombëtarisht ndërkaq po sprovohet dhe në skenën e teatrit. Ky djalosh me talent të jashtëzakonshëm zbuloi për Portalb një pjesë të shpirtit të tij. 

PORTALB: Na trego si përgatitesh ti për të hyrë në rolin e caktuar? Ke ndonjë ritual të posaçëm?

Tristan H.: Nuk kam ndonjë ritual të caktuar. Mendoj, kur më duhet të punoj një rol i përkushtohem maksimalisht atij dhe mundohem që të krijoj sa më shumë referenca të përbashkëta me atë, duke e hulumtuar veten time, mundohem të gjej pika të përbashkëta me sa më shumë situata mes meje dhe rolit. Pastaj ka edhe gjëra tjera që ndikojnë në formimin e personazhit, si konsultimet me regjisorin, me partnerin etj, gjithë kjo është e rëndësishme për t’u përcaktuar profili i personazhit. Kjo fazë e hulumtimit është vërtetë shumë emocionuese pasi për aktorin kërkon që të jetë maksimalisht i sinqertë para së gjithash ndaj vetes e më pas ndaj personazhit dhe në fund gjithçka prezantohet para publikut apo kamerës.

PORTALB: Falja e Gjakut- roli yt i parë fenomenal. Cili është elementi me të cilin ndjehesh më shumë krenar në këtë sukses?

Tristan H.: Filmi pati një komunikim të mrekullueshëm, si me audiencën shqiptare, ashtu edhe me të huajën. Gjuha shqipe shëtiti nëpër botë dhe u nderua me çmime të rëndësishme. Unë ndjehem krenar që isha pjesë e atij projekti. Kënaqësi e rrallë ishte të punoj me një regjisor të kalibrit të Joshua Marston, nga i cili kam mësuar shumë për të qenë më i saktë dhe organik në rolin që interpretoja.

PORTALB: Ka ndikuar roli i Nikut në jetën tënde?


Tristan H.: Ka ndikuar shumë. Vetëm kur ke parasysh situatën kur je duke xhiruar një skenë ku je i ngujuar në shtëpi dhe nuk mund të dalësh përjashta sepse mund të të vrasin. Është një numër i madh njerëzish që sillen rreth teje, kamera e drejtuar tek ti, dritat, të bëjnë grimin … Ndjenjë e veçantë. Për një moment kujtohesh që skenën që do të xhirohet, dikush tjetër në të njëjtën kohë po e përjeton veçse pa ato efekte anësore, si kamerën, dritat etj… 
Roli i Nikut më detyroi që nga afër t’i njoh disa nga këto raste të djemve që jetojnë të ngujuar për të cilat më përpara kisha vetëm dijeni të përgjithshme.

PORTALB: E çfarë mendon ti për gjakmarrjen?


Tristan H.: Mendoj se është një fenomen që sjell vetëm dhimbje dhe që duhet t’i përkasë të kaluarës.

PORTALB:  Kalimi nga filmi në teatër është i lehtë?


Tristan H: Për mua nuk është edhe aq i lehtë , sepse kushtet janë të ndryshme . Në film kur je në xhirime si mjet komunikimi është kamera, në teatër kur je në skenë si mjet komunikimi ke një sallë të mbushur me njerëz… Kjo ishte vështirësia, e cila nëse shfaqja ka sukses në ndryshim me filmin shpërblimi është i dyfishtë, pasi është direkt dhe gjithçka ndodh aty për aty.

PORTALB: Në Dashuri, teatër dhe marrëzira tjera- shkëlqeve në skenë, të
lumtë! Po na thuaj sa kjo komedi e pasqyron jetën reale të shoqërisë
tonë?

Tristan H: Mendoj se shfaqja ka pasur një shumëllojshmëri personazhesh ku publiku ka mundur të identifikohej në njërin apo tjetrin. Pastaj, shfaqja trajton një problem të përditshmërisë tonë, ku publiku kishte mundësi të identifikohej në mënyrë të drejtpërdrejtë. Disa dukuri që janë tanimë shqetësime në shoqërinë tonë në shfaqje trajtohen me një satirë të hollë duke i vënë, si themi në Shkodër “në bisht të lahutës”. Ajo që mua më ka bërë shumë përshtypje është personazhi kryesor “Axha Sulë”. Njerëz si ai janë të rrallë për t’u gjetur dhe kjo krijoi shumë simpati tek publiku .

PORTALB: Impresionet e tua nga suksesi i komedisë?

Tristan H: Për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një shfaqje teatrale dhe suksesi i komedisë më ka çliruar shumë nga gjithë ato brenga që kisha. Duartrokitjet e publikut të japin një ndjenjë të papërshkrueshme.

PORTALB: Çfarë të nevrikos më shumë? E çfarë të bën të lumtur?

Tristan H: Përgjithësisht, më nevrikosin njerëzit që vetëm qahen që fati ua ka kthyer shpinën, nuk ka zgjidhje tjetër, nuk kalohet kështu, nuk mundem ta bëj etj. Lumturohem kur shoh suksese të arritura, sukseset e tjerëve më motivojnë!
Specifikisht, më nevrikoste Mourinho kur si “zgjidhje të vetme” në ndeshjet me Barcelonën në mesfushë vendoste Pepen dhe Lass Diarran dhe normal që humbiste. Lumturohesha kur në mesfushë shihja Kaka dhe Ozil dhe Reali fitonte Barcën! 🙂 🙂

PORTALB: Tetova të mundëson të zhvillohesh si artist apo ka ndikim të kundërt?
Tristan H: Tetova ka pasur deri tani dhe do të ketë vetëm ndikim pozitiv në zhvillimin tim artistik. Nëse do të duhej që kësaj pyetje t’i përgjigjesha me detaje, kjo intervistë nuk do kishte vend për pyetje tjera dhe do të zgjaste shumë faqe. Shkurt, jam i rrethuar me njerëzit e duhur.

PORTALB: A ka dallim mentaliteti Tetovar nga ai i Shkodrës? Për shembull
çfarë të habit më shumë në Tetovë e s’e gjen në vendet e tjera?

Tristan H: Nuk ka shumë dallim, njerëzit janë shumë të ngrohtë dhe komunikativ. Ndoshta ky është shkaku që jam ambientuar kollaj, ndjehem sikur gjithë jetën kam jetuar në Tetovë.

PORTALB:  Përpos aktrimit ke ndonjë aktivitet tjetër?

Tristan H: Ndonjëherë shkruaj… Mundohem… Nejse, leximin e kam pasion .

PORTALB:  Ka momente kur pendohesh se je aktor?

Tristan H: Ka momente kur një provë shkon shumë keq dhe fillon e mendon për lodhjen mentale dhe vështirësitë e tjera që t’i sjell ky profesion, dhe për pak pendohesh pasi që mund të kishe zgjedhur një profesion tjetër shumë më të thjeshtë. Por në ndërkohë, ndërmend të vijnë edhe përparësitë e mrekullueshme dhe shumëllojshmërinë e sfidave që në asnjë profesion tjetër nuk i ke dhe e harron pendesën. Pastaj pret përsëri një provë të keqe dhe përsëritet rituali.

PORTALB: Çfarë libri lexon momentalisht dhe si e komenton atë?

Tristan H: Tani jam duke lexuar librin ‘‘Djajte’’ i F.M.Dostoyevskit. Është libri i shtatë që lexoj nga ky autor pasi është i preferuari im. Mund ta komentoj këtë libër si të gjithë librat e tij që kam lexuar. Unë jam i apasionuar nga librat e tij pasi gjithmonë befasohem kur shoh se ku mbërrin imagjinata e tij në të përshkruarit e diçkaje, tre sekonda ti përshkruan në dhjetë apo më shumë faqe, shpjegon dhe të formon një fotografi aq të pastër ku vërehen edhe detajet më të vogla.

PORTALB:  Është më mirë të kesh një femër të bukur apo një të mençur?

Tristan H: Tani… Të bukur apo të mençur… Mençuria ka bukurinë e saj, kuptohet. Por, nëse e marrim vetëm bukurinë, s’është e thënë që aty në mes nuk ka mençuri. Për shembull, nëse një vajzë tmerrësisht shumë të bukur, por që është budallaqe, e marrim si objekt vëzhgimi eksperimental dhe ashtu e shohim atë vetëm nga pamja e jashtme, do të vërejmë që është dashur një mençuri e madhe për të krijuar një bukuri të atillë…

PORTALB: Po me dashurinë si i ke hallet?

Tristan H: Diku në mes të asaj që thash në pyetjen e mëparshme.

PORTALB: Cilët janë aktorët/et me të cilët do të kishe dashur të aktroje bashkë?

Tristan H: Unë jam aktor i ri dhe ende studioj aktrimin, për mua çdo bashkëpunim me aktor të dëshmuar në këtë profesion do ishte mundësi e mirë për të mësuar më tej fshehtësi të këtij profesioni.

PORTALB: Planet e ardhshme?

Tristan H: Në fakultet me profesor Refet Abazin po punojmë për shfaqjen e provimit të këtij semestri, po ashtu në të njëjtën kohë më kanë angazhuar në shfaqjen e radhës që po punohet në Teatrin e Tetovës. Shfaqja titullohet ‘’Akuariumi’’– i Refet Abazit, që do jetë nën regjine e Luca Cortinës.

PORTALB: Mesazhi për lexuesit e Portalb?

Tristan H: Jam i ri për të dhënë mesazhe për të tjerët, por një gjë mund ta them nga përvoja ime, asnjëherë nuk duhet të demotivohemi në jetë, përkundrazi, sfidat janë pika apo momente që paraqiten në jetë për të sprovuar veten.

Lajme të ngjashme

Back to top button