fbpx

Aksioni “Monstrum”, plot shkelje dhe parregullsi

Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional dhe Klubi Demokratik kanë reaguar ndaj aksionit të koduar “Monstrum” gjatë të cilit u arrestuan 20 të dyshuar.

“Aksioni masovik policor i mëngjesit të 1 majit, gjatë të cilit sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë arrestuar aktorët e vrasjes së pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovcit, për fat të keq, u shoqërua me një sërë shkeljesh ligjore dhe parregullsi, të cilat, pavarësisht peshës së rastit, nuk guxojnë t’i ndodhin një shteti demokratik, aspirant për në strukturat euroatlantike. Ndër të tjera, gjatë aksionit policor u shkel e drejta e privatësisë së individit dhe familjes, përmes fotografimit dhe incizimit të aksionit në fjalë, e pastaj nxjerrjes dhe emetimit të këtyre pamjeve në mjetet e informimit, ku ndër të tjera tregoheshin edhe persona të zhveshur gjysmëlakuriq.

Po ashtu, nga vet institucionet e shtetit, ministrja e punëve të brendshme dhe prokurori, u shkel një nga parimet kryesore kushtetuese, supozimi i pafajësisë, duke i shpallur tanimë personat e arrestuar si vrasës, radikalë islamikë dhe terroristë”, thuhet në reagim. 

Organizatat e lartpërmendura gjithashtu theksojnë në reagim se, “Shqetësuese në gjithë këtë rrëfim është edhe roli negativ dhe tendencioz i disa mediave maqedonase, të cilat nuk ngurrojnë të ofendojnë në mënyrën më të vrazhdë dhe më të paturpshme, akoma pa u deklaruar gjykata lidhur me fajësinë apo pafajësinë e personave të ndaluar”.

“Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të deritanishme me një sërë procese të montuara gjyqësore kundër shqiptarëve, kërkojmë angazhim më të madh të subjekteve relevante politike në vend dhe të faktorit ndërkombëtar në ndjekjen e hetimeve dhe procesit të gjykimit, me qëllim të zbardhjes së drejtë të rastit dhe dënimit të fajtorëve të vërtetë”, thuhet më tej në reagim. 

Që të tri këto organizata dënojnë vrasjen e pesëfishtë, por shprehen kundër veprimeve të policisë që tejkalojnë procedurat ligjore dhe nuk respektojnë parimin e supozimit të pafajësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close