fbpx

Lidhni rripin derisa aterojmë

I nxitur edhe nga, ende, porosia e pasqaruar e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovc, mendoja për atë nëse ka vrasës potencial të Maqedonisë. Ndërkombëtar apo rajonal. Nuk mundja racionalisht t’i sqarojë vetes pse dikush do të donte që Maqedonia të mos jetë më.

Dhe konstatova se madje edhe përkundër përshëndetjeve më të çmendura greke që përshëndesin si fqinjë të tyre, herë Serbinë, tani, me sipas më të resë, edhe Kosovën, të gjithë e dinë se ajo gjë është e parealizueshme. Kjo sa nga shkaku i neve që jemi në Maqedoni, aq edhe për shkak të kontestit dhe fqinjësisë më të gjerë.

Nga ana tjetër, vet ne, si Maqedoni, nuk jemi të fuqishëm dhe s’kemi potencial që të eksportojmë ndonjë jostabilitet në rajon ose në botë, për shkak të shumë arsyeve, por fillimisht për shkak të asaj se të gjithë fqinjët tanë janë më të mëdhenj dhe më të definuar sesa ne, por edhe për atë se jemi vend i njerëzve të qetë.

Por përkitazi me këtë, ekspertët do thonin  se përjashtimi i rrezikut nga eksplodimi nuk përjashton rrezikun nga implozimi. E ajo është ashtu, si tani, brenda në vete të fundosemi dhe kalbemi. Sigurisht, që edhe për këtë gjë duhet pasur kapacitet dhe të përmbushen disa kushte, por ka shumë shenja se ne jemi shumë afër arritjes së kritereve themelore për këtë – varfërisë dhe mosfunksionimit të së drejtës.

Varfëri bile e shoqëruar me sindikata të cilat nuk mbajnë greva dhe me skara vegjetariane të cilat i përgatitën popullata me rastin e festës së një maj-it. Ashtu shohim se çdo vit, ka gjithnjë e më shumë speca dhe domate në skarat tona, e gjithnjë e më pak mish! Për atë se si “sundon” e drejta, duhet vetëm të përkujtojmë se me çfarë kundërmimi politik u shoqëruan të gjitha rastet e mëdha në gjyqësi gjatë viteve të fundit. Të mos flasim për rastet e vogla, kur para do kohe doli fakti se edhe në dokument zyrtar të gjyqit ka qëndruar sintagma – si e lype, e gjete!

Por, vija esenciale për zhvillim të implozionit, i cili më pastaj mund ta tërheq edhe rajonin, e më pas të shndërrohet në botërore, mund të ndodh nga ndonjë “zjarr miqësor” mes përçarjeve identitare të popullatës shumicë dhe mospërfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Them miqësor, sepse këto dy procese dhe dukuri janë të barabarta në joshëndoshmërinë për shoqërinë, por edhe në shkallën e rrezikut për Maqedoninë. Kur gjithë kësaj i shtohet religjioni, konkretisht qasjet e ndryshme politike që kanë ndaj tij shqiptarët dhe maqedonasit, kjo pastaj ende më shumë plotëson përçarjet identitare dhe mospërfaqësimin politik.

Kështu, maqedonasit fetarisht definohen në suaza kombëtare, kurse nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve i takojnë një religjioni universal – islamit. Këtu paraqitet joproporcionaliteti i parë, mes nacionales dhe universales, kurse i dyti është në qasjen politike të partive në pushtet ndaj çështjes së religjionit. Kështu, ndonëse nuk janë të gjithë maqedonasit ortodoksë, e as të gjithë shqiptarët myslimanë, DPMNE-ja me këmbëngulje dhe shpesh e bën lidhjen e kombit dhe fesë, bile jo rrallë edhe të fesë me shtetin. BDI-ja nga ana tjetër, orvatet të bëhet sekulare, aq sa shqiptarët, si komb me fe të ndryshme, me definicion janë sekularisht neutral gjithkund në botë.

Me këtë rast, tek dy partitë politike vërehet një mospërputhje mes fjalëve dhe veprave dhe një jokonzistencë e përgjithshme. Ashtu DPMNE-ja i bëri veprat më institucionale dhe harxhoi shumë para popullore për kthimin në politeizëm dhe për promovimin e paganizmit dhe në këtë vazhdë ndërtoi së paku dy tempuj katolik, diçka që për shkak të lidhshmërisë së identifikimit të maqedonasve me KOM-in ishte e parealizueshme edhe në ditët më të errëta të pushtetit komunist! Kurse BDI-ja i shkruante letra pushtetit teokratik në Vatikan, e nga ana tjetër nuk gjeti asnjëherë mënyrë të përshtatshme që t’i ndihmojë BFI-së, as në stabilizimin e saj, as në procesin e saj më të rëndësishëm për te– denacionalizimin e pronës.E tillë siç është, BFI-ja megjithatë është institucioni amë fetar i shumicës së madhe edhe të elektoratit të BDI-së.

Kështu, në lojën me porta të vogla për punë aq të mëdha, mes “kaurëve” dhe “turqve”, fituan politeistët dhe katolikët. Dhe ndonëse luajtën dy ekipet, KOM-i dhe republika e parë laike e Reçicës së Vogël, fitoi Vatikani!. Me këtë nuk them se kjo ishte ndonjë agjendë e Vatikanit, edhe pse pasi është shtet, me definicion ka agjenda, por më shumë ngjan të jetë agjendë e mosdijes të këto dy partive për këto tema, gjë që mbetet të sqarohet më tej, gjatë e gjerë.
Si do zhvillohen ngjarjet dhe zbulimi i detajeve rreth hetimit për vrasjen, mbetet të sqarohet rreth ekstremizmave fetarë dhe terrorizmit ndërkombëtar. Por, fillimisht ishte shumë me rëndësi që të dihet për këto dy çaste ters: përpëlitjet identitare dhe mospërfaqësimit politik.

Meqë, mendoj se na duhet lidhja e rripit të diturisë gjatë aterimeve të këtilla. Nga ajo që deri më tani dimë në opinion, e gjitha duket e përshtatshme për koment të llojit të komentit të dikurshëm amerikan për sistemin jugosllav të vetëqeverisjes: hajgare shumë e madhe për një vend aq të vogël!

E gjithë kjo për shkak të dyshimeve të papërgjegjura ende, e të cilat mbeten pezull në ajër në këtë vend tonin ku i kishim “Vreshtat e Rashtakut” dhe “Sopot”-in. Para se gjithash për shkak të pyetjes: çka ju duhet terroristëve që të fusin frikë shtesë, në popull dhe shoqëri të cilët edhe ashtu deri në asht janë të frikësuar dhe të pasigurtë për ardhmërinë e tyre dhe për ardhmërinë e shtetit të tyre. Këto janë pyetjet të cilat shteti doemos duhet t’i sqarojë deri në fund, për shkak të seriozitetit të gjithë kontekstit, por edhe për shkak të vet faktit se vrasja në Smillkovcë nuk duhet në asnjë mënyrë të mbetet e pazbuluar. E vetmja gjë më e keqe se moszbulimi i kësaj vrasje mbi civilë të pafajshëm është hedhja e fajit për këtë, njerëzve tjerë të pafajshëm.

Ramadan Ramadani
(Fokus, 03.05.2012)
©për shqip: Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close