Organizatat me apel- “Monstrum” shkeli të drejtat e njeriut

Përmes një deklarate të përbashkët, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut si dhe Klubi Demokratik kanë dënuar ashpër mënyrën e zhvillimit të aksionit policor “Monstrum” ku të arrestuar ishin 20 persona të dyshuar për terrorizëm.

 “Aksioni masovik policor i mëngjesit të 1 majit, gjatë të cilit sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë arrestuar aktorët e vrasjes së pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovcit, për fat të keq, u shoqërua me një sërë shkelje ligjore dhe parregullsi, të cilat, pavarësisht peshës së rastit, nuk guxojnë t’i ndodhin një shteti demokratik, aspirant për në strukturat euroatlantike. Ndër të tjera, gjatë aksionit policor u shkel e drejta e privatësisë së individit dhe familjes, përmes fotografimit dhe incizimit të aksionit në fjalë, e pastaj nxjerrjes dhe emetimit të këtyre pamjeve në mjetet e informimit, ku ndër të tjera tregoheshin edhe persona të zhveshur gjysmëlakuriq” thuhet në deklaratën e përbashkët të QMB, FNDN dhe KD.

Nga këto organizata kanë thënë se Ministrja e punëve të brendshme dhe prokurori kanë shkelë një nga parimet kryesore kushtetuese, prezumimin e pafajësisë, duke i shpallur tanimë personat e arrestuar si vrasës, radikalë islamikë dhe terroristë.

 “Shqetësuese në gjithë këtë rrëfim është edhe roli negativ dhe tendencioz i disa medieve maqedonase, të cilat nuk ngurrojnë të ofendojnë në mënyrën më të vrazhdë dhe më të paturpshme, akoma pa u deklaruar gjykata lidhur me fajësinë apo pafajësinë e personave të ndaluar. Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të deritanishme me një sërë procese të montuara gjyqësore kundër shqiptarëve, kërkojmë angazhim më të madh të subjekteve relevante politike në vend dhe të faktorit ndërkombëtar në ndjekjen e hetimeve dhe procesit të gjykimit, me qëllim të zbardhjes së drejtë të rastit dhe dënimit të fajtorëve të vërtetë”, shkruhet në deklaratën e këtyre tri organizatave që luftojnë për të drejtat e njeriut./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button