Kur Ivanov mendon që është Gjykatë Kushtetuese

Nuk e di nëse dikush kishte vërtetë shpresa që Ivanov do e nënshkruante shpalljen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (LPGJ). Unë për vehte nuk kisha as më të voglin dyshim që nuk do e nënshkruante. Vendosja e vetos suspenzive për këtë ligj është gjëja më logjike që mund të pritet nga personi i cili para më pak se dy vitesh vendosi të suspendojë tërë sundimin e ligjit në Maqedoni me anë të faljeve të turpshme, të cilat i bazoi në nen joeksistues të Ligjit për Falje. Ai më herët nënshkuajti edhe ligje të tjera, si për shembull, Ligjin për matjen e dënimeve, i cili suspendoi ingerencat e Gjykatës Supreme tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e RM, dhe për këtë as nuk u mendua fare se a mund të jetë kushtetues ose jo. E kishin vërtetuar të tjerë urdhërdhënës “kushtetueshmërinë” e atij ligji, dhe prandaj atëherë ai nuk pati nevojë të merret me këto gjëra. Por kur bëhet fjalë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, atëherë Ivanov befas fiton ingerenca të reja, si ato fuqitë shtesë nëpër video-lojërat, qe e bëjnë atë të mendojë se vërtetë mund të jetë diçka tjetër, si në kohën kur mendoi se duke dhënë ato faljet legjendare do të shndëroheshte në monark apsolut mesjetar.

Te jetë e qartë, shefi i shtetit ka të drejtë të jape veto suspenzive të ligjit, por kjo nuk e bën atë Gjykatë Kushtetuese. Lidhur me kushtetueshmërinë e ligjit vendos kjo e fundit, dhe jo presidenti, i cili mund të vendosë veto kur nuk pajtohet me atë ligj, por kjo vetëm sa e shtyn shpalljen e ligjit deri në një rivotim në parlament, pas të cilit presidenti është i detyruar ta nënshkruajë të njejtin, prandaj edhe quhet veto suspenzive. Por në asnjë nen të Kushtetutës nuk shkruan se presidenti e vlerëson kushtetueshmërinë e një ligji, ashtu si që tenton ta bëjë Ivanov me vërejtjet e tij të dërguara deri tek Kuvendi. Përkundrazi, Kushtetuta përcakton që pushtete janë të ndara, dhe që secili prej tyre ka ingerencat e veta. Përpjekja e Ivanovit që duke arsyetuar veton e tij të shpallë LPGJ për kundërkushtetues është në fakt veprim kundërkushtetues i tij, sepse në këtë mënyrë ai tenton të ndikojë dy degët e pushtetit: Kuvendin, nga i cili kërkon që me çdo kusht të marë parasyshë vërejtjet t tija, dhe Gkykatën Kushtetuese, punën e të cilës tenton ta drejtojë në drejtim të caktuar duke shpallur publikisht vërejtjet e tia, që në fakt, duke marrë parasyshë pozitën e tij të lartë, paraqesin tentim për ndikim në punën e kësaj gjykate. E në këtë kontekst, Kushtetuta thotë që presidenti është i detyruar të respektojë Kushtetuën dhe ligjet, sepse në të kundërt përballet me përgjegjësi. Duke u munduar të shpallë kundërkushtetues Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ivanov në fakt vetë bën veprim kundërkushtetues! Por kjo gjë nuk është as e papritur dhe as e panjohur duke pasur parasyshë rolin e tij aspak konstruktiv dhe as unifikues në këtë shtet.

Ai vetëm qartësoi edhe një herë frikën enorme nga një e drejtë kushtetuese që shqiptarët e këtij shteti e fituan që në vitin 2001, të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare. Kjo është e drejtë e fituar e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët në regjistrimin e popullatës të vitit 2002 u vërtetua që përbëjnë mbi 25% të popullsisë së këtij vendi. Në atë moment Amandamenti V i Kushtetutës së RM që regullon përdorimin e gjuhëve u bë e drejtë e fituar, të cilën shqiptarët nuk do e humbin pavarësisht variacionit të numrit të tyre në regjistrimet e ardhshme. Pra kur një e drejtë fitohet, e njëjta nuk humbet më. Të drejta të tilla të fituara janë edhe e drejta e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, e drejta e përdorimit të simboleve dhe të drejtat tjera kolektive të kësaj natyre. Janë fituar një herë, dhe tani kemi të bëjmë me implementimin e tyre.

Duke u nisur nga kjo, Ligji i ri për përdorimin e gjuhëve në fakt i shfrytëzon të gjitha mundësitë që jepen në Amandamentin V të Kushtetutës i cili është identik me rregullimin e çështjes së gjuhës në Marrëveshjen e Ohrit. Deri tani, ky amandament ishte interpretuar shumë ngushtë, ndërsa Ligji i vitit 2008 nuk parashihte asnjë mekanizëm të kuptueshëm implementimi për këtë të drejtë të rëndësishme. Implementimi i këtij ligji do të jetë i vështirë, dhe do të kërkojë shumë këmbëngulje dhe përkushtim.

Por ajo që është e pakuptimtë është frika joreale dhe e paarsyetuar nga ky ligj. I njëjti ngriti në kulm histerinë e shumë intelektualëve maqedonas që këtë ligj e quajnë si të rrezikshëm për gjuhën maqedonase, e quajnë si produkt të një fare “tiranie të pakicës” ndërsa disa e quajnë edhe si të pavlefshëm pa pasur një regjistrim të ri të popullatës ku duhet të vërtetohet se a janë ende shqipatrët mbi 20% në këtë vend!? Një reagim i tillë kur vjen nga persona të paarsimuar dhe të manipuluar është i kuptueshëm. Një reagim i tillë kur vinte në vitin 1997 nga studentët e atëhershëm Milloshovski, Petrovski e Gjorçev është i pakapshëm, por sërish, bëhej fjalë për të rinj 20vjeçarë të rritur në frymë jotolerante. Por kur reagime të tilla vijnë në vitin 2018, nga profesoresha universitare, nga akademike, nga aktiviste të të drejtave të njeriut, kjo vërtetë është e papranueshme. Të gjithë ata janë intelektualë me renome në këtë shtet, me kariera të suksesshme, me tituj të lartë shkencorë. Dhe sërish, kur është fjala për një ligj që duhet të përmbushë një obligim kushtetues, atëherë sikur u terrohen sytë dhe nuk shohin asgjë tjetër pëveç rrezikut të paqenë. Rrezik të tillë shihshin studentët e viti 1997 kur protestonin dhe bënin grevë urie kundër hapjes së paraleleve në gjuhën shqipe në Akademinë Pedagogjike në Shkup. Ata akuzonin për tendenca federalizimi. Rrezik të tillë shihte edhe qeveria e këtij shteti në vitin 1994 kur burgosi themeluesin dhe rektorin e Universitetit të Tetovës Fadil Sulejmanin, ndërsa në protestat qytetare vrau Abdyselam Eminin, për një kërkesë shumë fisnike, arsimim në gjuhën amtare. Të njejtat akuza u përsëritën edhe në vitin 1997 kur persona u vranë e u plagosën e kryetarë komunash u burgosën për ngritjen e flamurit shqiptar para ndërtesave komunale. Histeri e papërshkruar, rrezik i paqenë, viktima të shumta, për gjëra që sot as nuk vërehen dhe as nuk ekzagjerohen më.

Sot ka tri universitete në gjuhën shqipe, në të cilat punojnë dhe studiojnë edhe maqedonas edhe komunitete tjera, dhe vendi nuk është federalizuar. Sot flamuri shqiptar zë vend para ndërtesave komunale dhe askush nuk e vëren dhe as që i duket e çuditshme ose e papranueshme. Sot ka një Kryetar Kuvendi shqiptar dhe askush nuk humbi asgjë nga kjo, përkundrazi, të gjithë fituan. Sepse të tilla janë të drejtat e njeriut, nuk janë një petë, e cila po u ndajt, kur dikush mer një copë më të madhe tjetërkujt i bie të hajë më pak.

Kuptimi për të drejtat e njeriut është kuptim gjithpërfshirës dhe inkluziv dhe nënkupton që të gjithë të kenë mundësinë e zgjdhjes dhe që vullnetarisht të punojnë për mirëqenien e shoqërisë. Kohezioni në një shtet nuk mbahet me imponim, por me vensomërinë për të punuar së bashku për vlera të përbashkëta.

Fatkeqësi dhe për të ardhur keq është që ata që duhet të jenë intelektualë, prijës shpirtëror të qytetarëve, ata janë të verbuar me shovinizëm dhe këtë mundohen ta arsyetojnë me teza dhe argumente të paqena juridike. Sepse nuk ka argument juridik që arsyeton frigën nga bashkëqytetari, sepse drejtësia bazohet në fakte, në arsye dhe jo në emocione e në paragjykime nënçmuese për një etnitet të tërë i cili gjithmonë ka kontribuar pa hezitim në vendimet kryesore shtetformuese të këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button