PDSH- Do të mundohemi të parandalojmë çdo tentim për montim të rastit “Monstrum”

Sot deputeti i PDSH-së z.Orhan Ibrahimi në konferencë për shtyp reagoi ndaj arrestimeve të fundit. 

“Partia Demokratike Shqiptare nga afër i ndjek zhvillimet dhe sjelljen e subjekteve dhe institucioneve përgjegjëse që kanë të bëjnë me arrestimet e shqiptareve lidhur me rastin e vrasjes së pesëfishte në afërsi të Shkupit.
Për ne është shumë me rëndësi që të zbulohen autorët e vërtetë të rastit po ashtu edhe motivi i tyre, mirëpo publikimi dhe prezantimi i aksionit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme i ngjan një konstruksioni politik”,deklaroi Ibrahimi.

Për Partinë Demokratike Shqiptare forma e zgjedhur për komunikim me publikun nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme është e papranueshme, prejudikuese dhe  jokredibile.
 
“Është e palejueshme që me këtë rast ordiner të bëhet politikë arkaike, politikë e cila ngjall konflikte fetare dhe etnike. Edhe njëherë konstatojmë se jemi pro zbulimit dhe dënimit të autorëve të vrasjeve por do të mundohemi që të parandalojmë çdo tentim për montim të rastit në fjalë, qoftë individual apo kolektiv. Kemi shpresa të mëdha që Bashkësia ndërkombëtare, sidomos OSBE, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës, nga afër do ta vëzhgojnë ketë proces”, shtoi Ibrahimi.

Ibrahimi më tej përfundoi  me keqardhje se qëndrimi i BDI-së pas arrestimit të dhjetëra shqiptarëve ishte më i keq dhe më i shëmtuar se ai i Ministrisë së Punëve te Brendshme.

“BDI dhe mediat që kontrollon ajo, të arrestuarit i gjykuan dhe i shpallën fajtor para kohe. U apelojmë gjithë shqiptareve që të jenë të kujdesshëm dhe gjakftohtë dhe mos bëhen preh e konstruksioneve të ndryshme që po tentohen para samitit të NATO-s në Çikago”, përfundoi deputeti i PDSH-së Ibrahimi./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button