Po të mori lumi, ke larë nam

Të jesh një peshk që shkon sipas rrjedhës së lumit është shumë lehtë sepse s’ke nevojë të mësosh notin, ja lë veten rrymës. Por po të shkosh në drejtimin e kundërt të rrjedhës së lumit atëherë jo vetëm që ke mësuar notin, por përkundër peshqve tjerë ke marr guximin dhe mundin që të sfidosh rrjedhën për hir të faktit se jo çdoherë rrjedha e lumit të çon aty ku duhet. Duke qenë një peshk që sfidon rrjedhën dhe që vazhdimisht noton kundër rrymës së lumit ndjej nevojën të solidarizohem me peshqit tjerë që denjësisht notojnë drejt një qëllimi. Është e tmerrshme të shohësh se sa individ, parti politike, media e portale informative zgjedhin rrugën e lehtë, atë të rrjedhës së lumit, duke lejuar që lumi t’i merr ato. Në anën tjetër, është kënaqësi dhe nder të shohësh ca peshq, të vegjël në dukje po që janë aq të mëdhenj saqë nuk frikohen nga fuqia e rrymës së lumit por e sfidojnë atë duke e ditur se po të mori lumi, ke larë nam. 

Një thënie e famshme thotë: “Të jesh i pamoralshëm në një shoqëri të pamoralshme do të thotë të jesh me morale të larta.” Çdo kush që ka mësuar logjikë dhe algjebër bazike, kuptojnë vërtetësinë e pohimit. Çdo kush që këto dy ditë të fundit është informuar rreth ndodhive në vend, ka dëshmuar vërtetësinë e pohimit. Në mesin e brutaliteti shtetëror dhe parregullsive ligjore, i vetmi portal që ndoqi lajmin në rrjedhën e kundërt të lumit duke u munduar të ofroj storjet alternative dhe anën tjetër të së vërtetës, Portalb u etiketua si ndjekës i një agjende të fshehtë të Sorosit dhe faktor jo bashkëpunues me MPB-në.

Sado që u munduan të përdorin etiketime të tilla që të njollosin imazhin e këtij portali informativ, mediat pro qeveritare dhe kundër të vërtetës arritën që indirekt të përçojnë që mesazh goxha pozitiv: Portalb NUK bashkëpunon me qeverinë por me gazetarinë hulumtuese që kërkon lajmin aty ku tjerët s’duan, që bëhet zë i atyre që i’u është marrë zëri, që nxjerr në pah të vërtetat që tjerët duan ti fshehin.

Të kesh një etiketim të tillë dmth të triumfosh mbi servilizmin partiak, të qeverisë dhe të interesit personal. Në errësirën e mashtrimeve dhe keqpërdorimeve të hapësh dritaren e dritës dhe realitetit padyshim që do krijoj zinxhir të reaksioneve nga ato që errësira ua ka qorruar sytë. Të bëhesh lider i të vërtetës padyshim që të vë në shënjestrën e adhuruesve të mashtrimit, por lidershipi nuk nënkupton lehtësi dhe komoditet por sfida, mundime, shumë punë, vështirësi dhe rreziqe.

Atë që u mungon të a.q. liderë të shqiptarëve, e kanë këto të rinj që shtyhen nga vlerat, principet dhe morali e që lidershipin nuk e shohin si përfitim personal dhe të klanit të afërm por si përgjegjësi dhe obligim. Të dënosh dhunën dhe padrejtësinë është obligim human por edhe gjest patriotik kur bëhet fjalë për kombin tënd. Portalb dëshmoi se ndryshe nga të tjerët vendosi të jetë patriot dhe partizan i të drejtës, ashtu siç i takon një shqiptari që si duket është minoritet gati se i padukshëm në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button