Serbi, arrestohen shtetas australianë, dyshohen për kontrabandë të 1.280 kg kokainë

Policia serbe në bashkëpunim me Prokurorinë e krimit të organizuar, arrrestuan në Beograd tre shtetas australianë të cilët ishin pjesë e grupit të organizuar kriminal i cili dyshohet për kontrabandim të kokainës si dhe një shtetas të Libanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Brendshme e Serbisë sot ka konfirmuar se pas një hetimi nëntë-mujor, që u zhvillua së bashku me autoritetet kompetente australiane, në një hotel të Beogradit arrestuan shtetasit australianë T.V. (1983), R.A. (1974) dhe D.K. (1969), të cilët lidhen me konfiskimin e 1.280 kilogramë kokainë në Sydney.

Nën dyshimet për kryerje të veprës penale të falsifikimit të dokumentacionit, policia arrestoi edhe një shtetas të Libanit, D.G. (1977).

Ky hetim ka filluar në prill të vitit 2017, kur në portin e Sydney-it nga Republika Popullore e Kinës arriti një kontejner me gypa çeliku në zgavrat e të cilëve u gjetën 1.280 kilogramë kokainë, e cila ishte vendosur në 2.576 pako. Narkotikët e konfiskuar ishin të pastërtisë së lartë dhe vlera e saj në treg vlerësohet në 500 milionë dollarë australianë.

Tre anëtarë të grupit kriminal të organizuar nga Australia u arrestuan me rastin e pranim-dorëzimit të parave në Beograd. Tek ta u gjetën 638.020 euro, 11.350 dollarë australianë, 4.000 dollarë amerikanë, 18.300 kruna çeke, 528.000 dong vietnamez, 9.000 jen japonez, 2.940 juan kinez, 2.500 baht tajlandez, 863 dollarë të Singaporit, 112.000 dinarë serb si dhe një armë.

Shtetasve australianë u është caktuar masa e ndalesës, kurse Ministria e Drejtësisë së Serbisë do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet kompetente të Australisë për zbatimin e operacioneve të këtij hetimi ndërkombëtar në vazhdim.

Shtetasit libanez, i cili u arrestua në operacionin e sotëm, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe do t’i dorëzohet Prokurorisë kompetente në Beograd.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button