Modeli Orbán

Hungaria kishte tentuar të censuronte mediat kritike ndaj Qeverisë, duke ndaluar prekjen e “dinjitetit njerëzor”, ose “raportimit të pabalancuar”, ndërkaq Kosova i kërcënon gazetarët me burgim, duke kërkuar zbulimin e burimeve.

Më 2010, kur Qeveria e kryeministrit konservativ hungarez, Viktor Orbán, kishte miratuar Ligjin për mediat, politika evropiane ishte çuar peshë, duke kërkuar me ngulm që të rishikoheshin nenet, të cilat censuronin mediat në këtë vend.

I lodhur nga një pjesë e mediave kritike, Orbán, nuk kishte hezituar që nëpërmjet ligjit të vendoste gjoba prej dhjetëra mijëra eurosh për mediat, të cilat preknin “dinjitetin njerëzor”, apo raportonin në mënyrë “të pabalancuar”.

Me një ambiguitet të tillë, nuk precizohej qartë se çfarë nënkuptonte dinjiteti njerëzor, por as cila është mënyra e raportimit të pabalancuar. Që të dyja janë kategori relative, ndaj duke lënë vakuum juridik, Qeveria hungareze kishte krijuar mundësinë që t`i vinte në shënjestër gazetarët sa herë që do dhe kurdo që një raportim i ngjasonte përkufizimit sipas Ligjit të mediave. 

Afro dy vjet më pas kolegët e Orbánit në Kosovë, sikur të mos kishin lexuar kurrë se çfarë ngjet në vendet e rajonit u dhanë vizë neneve në Kodin Penal, të cilat krijojnë censurë të hapur ndaj gazetarisë kosovare. Në fakt, analogjia me Hungarinë është më se tipike. Për më tepër të dy nenet bien ndesh me pikën 5 të Kodeksit universal gazetaresk – mbrojtja e burimit të informatës.

Me nenin 37,  pika 1 definohet përgjegjësia për vepra penale në media. “Autori i informacionit është penalisht përgjegjës në qoftë se vepra penale është kryer nëpërmjet publikimit të informatës në gazetë, ose në lloj tjetër të shtypit periodik, radio, televizion, internet ose mjete të tjera të komunikimit”. Pyetja logjike nga një formulim i tillë është se cili informacion konsiderohet vepër penale? Në kohën kur në vendet me demokraci të konsoliduar po bëhet përpjekje gjithnjë e më tepër që të zgjerohet korniza aktuale e lirisë së medias, në Kosovë, po imponohet modeli Orbán, Lukashenko, a Putin. 

Në qoftë se aplikohet një ligj i tillë nuk do të mbyten mediat, por do të mbytet e gjithë shoqëria kosovare. Mediat nxisin dhe prodhojnë debat, ndaj pa një liri të shprehjes të pacensuruar, nuk mund të ketë një debat të mirëfilltë shoqëror, i cili në Kosovë, me gjithë veprimin e medias, është në nivelin fillestar. 
Paradoksi i këtij Ligji… të sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë është edhe më i madh në nenin 38, në pikën 2.1. 

“Zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar sulmin që përbën kërcënim të pashmangshëm ndaj jetës, apo integritetit trupor të ndonjë personi”. Sërish një formulim-përkthim (sic!) përgjithësues, i paspecifikuar dhe me mundësi të shumta interpretimi. Me këtë nen, gjykatat i kanë duart të lira që në bazë të një vlerësimi krejtësisht subjektiv të nisin hetime në të cilat mund të përfshihen gazetarët dhe burimet e tyre. Si një vend që nuk shquhet për nivel të lartë të gazetarisë hulumtuese, me këtë nen mbytet tendenca e medias për t`i shërbyer publikut, duke ofruar imazhin real dhe qasjen kritike për atë që ngjet në hapësirën kosovare. 

Një nga shkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës, politikani Benjamin Franklin, ka thënë se kush heq dorë nga liria, për të arritur një lloj sigurie, nuk meriton as lirinë dhe as sigurinë. 

Me nenet e Kodit Penal të Kosovës, praktikisht kryhet një agresion i hapur ndaj medias, ngase ato duket haptas se janë bërë për ta mbrojtur këtë kastë politike nga mundësia e shpërfaqjes në publik të abuzimeve të shumta, që janë kryer e kryhen çdo ditë në të gjitha nivelet e pushtetit. Praktikisht i bie humbje e lirisë së medias për imunizimin e politikanëve nga çfarëdo situate në të cilën mund të ndodhen ata. Me këtë hap, Kosova po ndjek sigurt hapat e “shtetit vëlla” siç ka qejf ta quajë Turqinë kryeministri kosovar. Afro një vit më parë, tetë nga gazetarët më të njohur turq janë arrestuar nga autoritetet turke me akuzën për një grusht shtet të imagjinuar. Ata akuzoheshin se ishin bërë pjesë e rrjetit terrorist “Ergenekon” me synim për të rrëzuar qeverinë. Me akuzë, vetëm gjatë vitit të kaluar janë vënë prapa grilave  më shumë se  60 gazetarë turq. 

Në qoftë se Kosovës i është dashur një kornizë ligjore për punën e gazetarëve, nuk është dashur që model t`i shërbejë Hungaria, Bjellorusia, Rusia, apo Turqia. 
Vendet skandinave prej vitesh renditen si kryesuese sa i përket lirisë së shtypit. Në Suedi, autoritetet shtetërore janë të detyruara të garantojnë mbrojtjen e burimit të informacionit, për dallim prej Kosovës ku kërkohet zbulimi i tij. 

Raporti i Indeksit të Lirisë së Shtypit për  2011, i publikuar në janar të këtij viti, Kosovën në nivel global e radhit të 86-n, me 30 pikë sa i përket lirisë së shprehjes. 

Praktikisht me modelin “Orbán” po legjitimohet përshtypja që ekziston prej kohësh në relacionin gazetar-klasa politike. Të parët janë armiq, të dytët mëkatarë. Pra, nuk ka më liri të shtypit, pikërisht për shkak së politikanët e cilitdo krah qofshin, përfundimisht e kanë humbur ndjenjën e pranimit të kritikës që u vjen nga mediat. Ata do të mund t`i pranojnë gazetarët në rolin e tyre vetëm atëherë kur raportimi është pozitiv dhe nuk vë në qendër anën negative të punës për të cilën paguhen ata që i bëjnë politikat. Në cilindo vend të botës ekziston një koalicion joformal parimor ndërmjet medias kritike dhe opozitës, por në Kosovë kjo teori u rrëzua. Kur pritej që së paku opozita të ngrihej kundër një ligji që censuron, pikërisht ata ua dhanë vulën neneve që prekin thelbin e lirisë së medias. Është pikërisht interes i opozitës ekzistenca e medias kritike ndaj pozitës, por votimi në Kuvendin e Kosovës dëshmoi se një numër jo i vogël i atyre, që janë ulur në Kuvend kanë frikë nga e vërteta- nga gazetaria e njëmendtë. Me një shkallë alarmante korrupsioni kudo, me nepotizëm të theksuar, gjithashtu, mbase pozitarë e opozitarë votuan kundër medias, sepse në këtë mënyrë ndihen më të sigurt në veprimet e nëntokshme të tyre.  

Është momenti që ky Kod t`i kthehet sponsorisuesit- Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo nga numri një i vendit- presidentja Jahjaga. Ajo nuk duhet ta nënshkruajë këtë Kod… me këto nene, duke pasur mundësinë që përgjatë kësaj periudhe sa është në krye të lërë gjurmë, të cilat nuk do t`i shërbejnë vetëm karrierës së saj politike, por mbi të gjitha shoqërisë kosovare. Me kthimin mbrapshtë të këtij Kodi…, ajo do të siguronte që Kosova të mos i shndërrojë gazetarët në zëdhënës të pushtetit, por në hazarderë të fjalës së lirë. Ndërkaq, politikanët në tabelë qitjeje, jo për ekzekutim, por për këndellje për ta kuptuar se politika është përgjegjësi dhe se interesi publik është mbi atë personal. 

Antoine de St.Exupery kishte thënë se e njeh vetëm një liri- atë të mendimit. E politikanët tanë duket se nuk mendojnë, prandaj votuan censurimin e lirisë së shtypit, e s`ka ç`u duhet liria. 
Ata duhet të kthehen në restrospektivë për të parë çfarë kanë thënë kolegët e tyre të rryer në politikë. Në një fjalim të mbajtur vite më parë në Universitetin e Kinës, presidenti Bill Clinton kishte thënë: “Kritikuesit tanë janë miq, sepse na i tregojnë gabimet”. 

Ndaj, duket se aktualisht Kosova duke mos qenë e tillë s`është gjë tjetër, veçse siç do të kishte thënë Lubonja ‘inkubator i krimit’.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button