Jankullovska pishman, 10 të liruarit nuk akuzohen për terrorizëm

Personat që ishin në paraburgim 48 orësh nuk akuzohen për veprën penale terrorizëm, kështu u shpreh ministrja e brendshme Gordana Jankullovska për lirimin e nëntë personave që sot në mesditë  u skadoi paraburgimi 48 orësh, si dhe lirimin e të moshuarës nga fshati Hotël i Likovës.

‘Personat që ishin në paraburgim 48 orësh nuk akuzohen për veprën penale terrorizëm.  Ne që nga momenti i parë deklaruam se i kërkojmë kryerësit aktit terrorist,  vrasjes makabre mirëpo në fazën finale të operacionit Monstrum nëse ju kujtohet unë theksova se 20 persona janë arrestuar për vepra të ndryshme, dhe ato janë armëmbajtje pa leje dhe përdorim  i mjeteve shpërthyese ,që në vete dëshmojnë se janë vepra të rënda penale’, deklaroi Jankullovska.

Ajo tha se ndaj tyre janë bërë disa hetime, me qëllim të zbulimit eventual  ndonjë lidhjeje me kryerësit e veprave penale.

‘Nuk ka dyshime se për tu kryer një akt terrorist, një vepër penale me aq pasoja të mëdha, supozohet se ata persona të dyshuar kanë lidhje të caktuara dhe mbështetje apo logjistikë. Për këtë shkak ishte patjetër të bëhen më shumë analiza të intervistohen më shumë persona dhe të zbardhet i tërë rasti, tha Jankullovska.

Avokati mbrojtës i 10 të arrestuar, Naset Raufi  për Portalb thotë se për të dhjetë personat që janë liruar nuk ka pasur asnjë bazë për shqiptimin e masës paraburgim prej 48 orësh. 
‘Për asnjë nga këta dhjetë persona nuk ka pasur asnjë dëshmi se kanë kryer ndonjë vepër penale, janë arrestuar pa të drejtë. Ata të gjithë janë liruar dhe gjenden në shtëpitë e tyre’ tha Raufi. 

Sot nga burgu i Shutkës janë liruar edhe tre gratë e paraburgosura, dhe me të moshuarin nga Hotla në paraburgim nuk ka asnjë grua.

Ndryshe ministrja Jankullovska tha se që nga sot do të kërkojë ndihmë nga Interpoli për arrestimin e dy personave që janë në arrati. Ajo sqaroi se akoma nuk është dëshmuar nëse armët e konfiskuara nga policia, janë përdorur gjatë vrasjes së pesëfishtë në Smillkovc të Shkupit.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button