fbpx

Portalb, ferrë në sy për mediet e Kurdisura

Nëse mediet maqedonase trumbeta të këtij pushteti nacionalist që nuk njohin askënd përpos vetes, mblidhen dhe organizojnë një sulm të koordinuar kundër një mediumi, atëherë dihet se diçka nuk ju shkon për shtati. Pse të gjithave t’ju pengojë e vërteta?

Në këtë terr informativ, me këtë monopol të medieve pro-qeveritare trushpërlarëse, Portalb paska bërë “gabimin kardinal” duke nxjerrë dëshminë e familjeve  e të arrestuarve shqiptar në aksionin policor “Monstrum”.  Dhe plasimi i dëshmive , si që transmetuan sot mediet e Ilindenskës, qenka një “aksion me një skemë mirë të përgatitur kundër së vërtetës “absolute” të plasuar nga Ministria e Brendshme”. Plusinfo dhe Portalb nuk bashkëpunuakan me hetimet e MPB-së dhe ua nxjerrim ndryshe hesapet policisë e cila shpresoj mos të tentojë të përsërisë edhe një “Sopot” apo dhe “Vreshtat e Rashtakut”. 

Gjatë studimeve profesoresha Aurora na thoshte se gazetaria është profesion i shenjtë që synon të vërtetën. “Çdoherë kërkoni palën tjetër” thoshte ajo. Dhe pikërisht këtë e bëmë. Përpos policisë, ka dhe palë tjetër, palën e akuzuar. Ne folëm me to, për hir të së vërtetës, për hir të gazetarisë që ka rol të përcjellë informata. 
Dhe në çdo vend demokratik (përpos këtu ) të gjithë kanë të drejtë të flasin në publik, të tregojnë dëshminë e tyre, më pas gjykon Gjykata apo shoqëria, por jo Mediumi! Edhe Brejvik i cili e pranoi vrasjen jo të pesëfishtë por të shtatëdhjetëfishtë, kishte të drejtën të fliste në publik… e ku një nënë e një djaloshi 24 vjeçar i cili sipas të gjithë gjasave dhe të dhënave “transparente” të policisë nuk do të del fajtor! 

Ne nuk punojmë me agjenda, ne nuk punojmë për të mbrojtur interesat e dikujt, si që bëjnë këto medie me “mizën ndër kësulë”. Ne thjeshtë po bëjmë punën tonë. Nëse këto medie heshtin para së vërtetës, ne as që e kemi mendjen ta bëjmë të njëjtën. Nëse këto medie servile mundohen të na frikojnë ose “të zbulojnë” ndonjë lidhje “të errët” me një person i cili s’ka bë gjë tjetër vetëm se ka lënë para të majme në Maqedoni , e kanë shumë gabim, sepse udhëhiqemi nga qëllime të pastra e jo të pista. Portalb doli në dritë pikërisht për këtë arsye, nga mungesa e medieve që plasojnë informata “pa agjendë” . Ne nuk kemi çfarë të mbajmë fshehur, ne jemi të hapur për të gjithë, dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë.

Nuk është rastësi që raporti i Freedom House për lirinë e medieve e ka vendosur Maqedoninë në fund të listës. Duke pasur parasysh motivet e sulmit mediatik që e drejtuan te Portalb dhe Plusinfo dhe ndërkombëtarët por dhe gjithkush e ka kuptuar se Qeveria është kontrollor i së vërtetës në këtë vend. Pikërisht si na ka treguar Orwell në 84-shën e tij tepër reale.

Këto medie të cilat vite me radhë terrorizojnë opinionin pa pikën e profesionalizmit , këto medie të cilat i quajnë shqiptarët Monstrumë ende pa mos mbaruar hetimet, këto na paskan gjetur hapësirë të flasin për profesionalizëm. Ruana Zot! 

Mjerë këto servilë, nuk e dinë shijen e lirisë….

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close