Kuvend-Shqipëri, seancë përkujtimore për Holokaustin

Kuvendi organizoi një seancë të veçantë në nderim të Holokaustit. Veç përshendetjeve të rastit, në këtë seancë u transmetua dhe një dokumentar, ku faktohej ndihma e shqiptarëve ndaj popullsisë hebreje.

Ndërkohë që nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti seancën duke theksuar se përballë urrejtjes ndaj hebrenjve, populli shqiptar tregoi një faqe tjetër, e pikërisht dashurinë. Ndaj sipas saj, ne sot krenohemi me gjyshërit tanë.

“Zhdukja e hebrenjve ishte një nga mizoritë më të mëdha, që ka njohur njerëzimi. Për këtë arsye kjo quhet “Dita e Kujtesës”. Sot në këtë seancë të veçantë plenare takohemi për kujtesën. Me anë të një dokumentari filmik do tregojmë sot një faqe tjetër përballë urrejtjes, atë të dashurisë. Dashurinë që populli shqiptar pati për hebrenjtë. Ndaj të jemi krenarë për gjyshërit tanë që mbrojtën hebrenjtë”, vuri në dukje Topalli, gjatë fjalës së saj.

Në përshëndetjen e tij në këtë seancë të veçantë, Kryeministri, Sali Berisha e cilësoi Holokaustin, si aktin më barbar në memorien e qytetërimit.

“Holokausti nuk mund të ndodhte nëse fqinjët nuk do i ushqenin makineritë naziste me spiunimet e qënieve të pafajshme. Më të këqijat e kësaj toke janë diktaturat”, nënvizoi Berisha.

Ndaj, kreu i qeverisë shqiptare shprehu nderim dhe mirënjohje për ato familje të tëra shqiptare që mbrojtën hebrenjtë. Sipas tij, doktrinat raciste nuk kanë të ardhme.
Madje, si për të përforcuar më tej ndihmën e shqiptarëve ndaj hebrenjve, Kryeministri rikujtoi faktin se mbreti Zog ishte shtetari i parë shqiptar, i cili me hapjen e kufijve ndihmoi qindra hebrenj, traditë që sipas tij e vijuan edhe shqiptarë të tjerë.

“Sot ditë nderim, së pari për Ahmet Zogun, i cili ishte shtetari i vetëm se nuk mbylli dyert dhe kufjtë për hebrejtë, i hapi kufijtë për të bërë atë që mund të bënte mbreti i vendit më të varfër të Euopës. Shqiptarët shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj”, vlerësoi Berisha, gjatë fjalës së tij.
Madje në këtë kontekst kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur të gjitha nismat në mbrojtje të hebrenjve.

Lajme të ngjashme

Back to top button