U shënua 2 maji i fillimit të luftës së UÇK-së

Në praninë e familjarëve të dëshmorëve, ish pjestarëve të UÇK dhe qytetarëve tjerë të shumtë me tubimin tradicional me moton “Shpallja e Zonës së Lirë në Karadakun e Pamposhtur” , sot pas dite në fshatin Sllupçan u shënua 11 vjetori i fillimit të luftës së UÇK-së dhe shpalljes zone e lirë në Karadakun e Likovës. 

Ndonëse ishte i paralajmëruar në këtë shënim të fillimit të luftës nuk mori pjesë kreu i BDI-së e njëherit ish komandant i shtabit të përgjithshëm të UÇK , Ali Ahmeti. por morrën pjesë zyrtarë tjerë të lartë të BDI. 

Në fjalimin para të pranishmive kreu i Komunës Sadulla Duraku tha se dalja e UÇK-së në skenë ishte rezultat i diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni nga ana e pushtetit. 

“ Sot me pietet përkujtojmë të gjithë dëshmorët që ranë në altarin e lirisë. Duke i përkujtuar ata ne sot ndërtojmë ardhmërinë tone” tha ndër të tjera Sadulla Duraku. 

“ Shqiptarët gjithmonë kanë pasur një të kaluar që ka çuar drejt të ardhmes. Sot ne po qëndrojmë në Kalanë heroike ku bijt dhe bijat dhanë më të shtrenjtën që paten, dhanë jetën e tyre për lirinë tonë. Ky është një rast kur triumfon mbi trishtimin, kur kushtrimi mundi tmerrin , gjenocidin e krimin”, nënvizoi në fjalimin e tij mjeku i luftës Fatmir Hasani.

 Ai në fjalimin e tij foli edhe për arrestimet e djeshme  për vrasjen tek liqeni i Smillkovës duke thënë se :
“ne gjithmonë kemi deklaruar dhe kemi vepruar kundër terrorizmit , por arrestimet e fundit në kauza të mjegullta janë të turpshme”. Si është e mundur që pa patur kurfar dëshmish dikush të shpallet fajtor. Kjo që po ndodh sot është një shkelje e normave themelore ligjore , njerëzore e etike. Është edhe një provokim i radhës me nxitje të urrejtjes ndëretnike e fetare . Është koha e fundit që policia dhe Qeveria maqedonase të heqin dorë nga skenaret shkatrimtare të politikës së beogradit. Prandaj nga ky vend i lirisë bëjë apel , poltikanëve shqiptarë të gjithë sa jeni është koha që ti heqni qafe të gjitha keqkuptimet dhe paragjykimet por  moralisht dhe shpirtnisht   të bashkuar të veproni ashtu siç vepruan atdhetarët tanë në lidhje me çështjen tone kombëtare”, tha Fatmir Hasani. 

“ Këtu në këtë vend ku u skuq toka , ku njëkohësisht u njom edhe amblema e UÇK  dhe flamuri ynë kombëtar . Sytë tuaj nuk janë të vetmuar këtu, janë të gjithë me ju sot dhe ju vite me radhë drejtoheni këtu duke kërkuar sytë e bijve tuaj. I gjeni atë sy tek bukuria e atdheut që është në të gjitha trojet tona, që na i falë zoti, bukuria dhe natyra dhe që e bëjmë hap pas hapi në mënyrën që duhet ti bëjmë ne” tha ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari i OVL të UÇK-së , Fazli Veliu. 

Të pranishmive iu drejtuan edhe mysafirët nga Kosova, Adem Demaçi, Emrush Xhemajli si dhe nënkryetari i Lëvizjes “ Vetvendosja “ Galuk Konjufca. 

Në shënimin e 11 vjetorit të fillimit të luftës u shfaq edhe një program i pasur kulturor-artsistik me pjesmarrjen e artistëve të estradës shqiptare si dhe anëtarëve të SHKA “ Jeta e re “ nga fshati Sllupçan. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button