fbpx

Një varg më parë kundër një dite më pas

Mbase megjithatë ka shpresë për këtë botë, në të cilën disa vargje pa rimë ende arrijnë ta shkundin ndërgjegjen dhe dilemën e njerëzimit dhe të shkaktojnë debate të ashpra mes palëve kundërshtare. Disa dekada pas poemës kontroverse “Ulërima” të Allan Ginsbergut, bota e letërsisë përsëri arriti ta dridhë establishmentin politik, kësaj radhe nëpërmjet pendës dhe “pafytyrësisë” së Gynter Grasit, bardit të fundit të vargut të guximshëm evropian dhe ndërgjegjes kombëtare gjermane. Poema e tij “Ajo që duhet thënë patjetër”, e përkushtuar gjendjes aktuale mes Izraelit dhe Iranit, shkaktoi një stuhi jo të vogël në skenën botërore për shkak të qëndrimit kontrovers të autorit, me të cilin roli i Izraelit prej viktimës riemërohet në agresor nëpërmjet vargjeve “e drejta e supozuar e sulmit të parë  mund ta shkatërrojë popullin iranian”. Njëkohësisht, dhe qartazi pa dëshirë të tepërt për korrektësi të balancuar politike, pjesa e fajit të Iranit reduktohet në fajësim të Ahmadinexhadit, të paraqitur si “llafazan i cili e ka nënshtruar popullin e vet  të mbledhur në protesta të organizuara”. 

Më tutje, i vetëdijshëm për ndikimin e tij mbi mendimin evropian, Gras bën thirrje për rishqyrtim të qëndrimeve të “dyfytyrësisë perëndimore” ndaj Izraelit, duke e pyetur veten “dhe prapëseprapë,  pse hezitoj ta emëroj këtë shtet tjetër  në të cilin me vite – edhe pse fshehtazi ekziston një fuqi bërthamore në rritje jashtë çdo mbikëqyrjeje dhe vërtetimi ose çfarëdo qoftë inspektimi?”. I vetëdijshëm për reaksionin e mendimit prej më parë të caktuar dhe të dresuar të opinionit publik, autori pranon që “ora është pjekur  aktgjykimi për antisemitizëm bie lehtë”. Në vazhdim, Gras e drejton gishtin e vet të fajësimit drejt rolit të Gjermanisë, “vendi im  kohë pas kohe i marrë në pyetje për krimet e veta…  i përmendur si pikënisje edhe për një nëndetëse  të pajisur për transport të kokave bërthamore”. 

Gynter Gras vajton dhembjen për rolin e vet të vetë-pranuar të rinisë në Vermahtin e Rajhut të Katërt mbi ndërgjegjen e Gjermanisë bashkëkohore – “Por pse kam heshtur aq shumë deri tash?  për shkak se e ndjeva prejardhjen time  të njollosur nga një gënjeshtër e cila nuk do të hiqet kurrë”. 

Dhe në fund, vargjet të cilat e detyruan kryeministrin Netanjahu ta quajë veprën “një baraspeshë të turpshme mes Izraelit dhe Iranit”, të shprehura si – “dhe me këtë ngjyrë që ka mbetur. Fuqia bërthamore e Izraelit  e rrezikon paqen edhe ashtu të brishtë botërore  për shkak se ajo që duhet thënë patjetër sot  mund të jetë tepër vonë nesër”. 

Skena botërore e letërsisë nuk ka mungesë të shpërthimeve letrare-artistike të mllefit ose simpative ndaj Izraelit apo Iranit, dhe poema si e tillë nuk do të shkaktonte ndonjë kontroversë më të madhe sikur të mos bëhej fjalë për personalitetin dhe veprën, dhe para së gjithash për madhështinë morale të një shkrimtari të rëndësisë mbi-nacionale siç është Grasi. Një autor, opusi i të cilit është një trajektore e ndërthurur e zhvillimit letrar dhe politik të vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare gjermane, duke filluar nga ballafaqimi i guximshëm me rolin e turpshëm nazist në “Daullen e kallajit” nëpërmjet përkujtimit për krimet ndaj vetë gjermanëve në “Ecjen e gaforres”, deri te katarza personale e paraqitur në autobiografinë “Duke qëruar qepë”. 

Akuzat për anti-semitizëm të supozuar, të cilat vijuan si reaksion ndaj poezisë, janë gjithsesi të tepërta dhe të pahijshme për një madhështi të tillë, dhe njëkohësisht e deplasojnë porosinë e vërtetë të autorit, i cili mbetet besnik ndaj bindjes së vet pacifiste dhe mendimit të lirë. Reaksionet e ashpra njëkohësisht e mohojnë tezën e Adam Kzhezhinskit që në rastin e Grasit bëhet fjalë për “fund të autoritetit të të a.q. intelektualë të mëdhenj të cilët e kanë përfunduar shërbimin e vet të rolit të patriarkëve dhe autoriteteve politike”. 

Por, njëkohësisht, poema e Grasit përputhet me disa trende tjera politike në skenën evropiane. Është për t’u vënë re, edhe pse jo aq befasuese, rritja e simpative të së djathtës evropiane ndaj regjimit në Teheran. Për shembull, gazeta gjermane “Die Zeit” pohon që Partia Jobik e Hungarisë e shqyrton seriozisht “ndonjë lloj të aleancës me Ahmadinexhadin”, kurse Partia austriake e Lirisë e feston “rëndësinë gjeopolitike të Islamit”. Deklaratat e këtilla në shikim të parë pajtuese ndaj Islamit nga ana e së djathtës evropiane janë në të vërtetë vetëm refleks i fundit të modës së islamofobisë e cila nuk sjell më vota. Ose si që thekson me te drejte Simon Kuper duke e komentuar iniciativën e Gert Vildersit për paraqitje të “papërshtatshmërive” të imigrantëve nga Evropa Lindore – “pas 11 Shtatorit myslimanët hëngrën dajak. Tani është në radhë Evropa Lindore dhe Jugore … si trend i ri i ksenofobisë evropiane”. 

Megjithatë, motivet e vërteta dhe të fshehura të shprehjeve të tilla të çuditshme të simpative ndaj Iranit paraqiten më së miri nga NPD ekstreme e djathtë e Gjermanisë, e cila edhe pse konsideron që “Islami është religjion agresiv i huaj në Evropë”, megjithatë nuk e përjashton shikimin mbi “botën islame si bastion të fundit kundër kapitalizimit dhe amerikanizimit të tepruar të botës”. Vështrimi i tillë është në pajtim me motivet e fshehura të populizmit në rritje djathtist të Evropës, në masë të madhe me motivim ekonomik nga kriza e qeverisjes, por edhe nga dëshira për distancim nga ndikimi amerikan në sferën euro-aziatike gjeo-politike. Por, ajo që mungon në qëndrimin e tillë është raporti i vetë botës së a.q. arabe. Rrjedha e ngjarjeve pas pranverës arabe tregon që, edhe përkundër ndryshimeve, pushtetarët e rinj arabë në masë më të madhe preferojnë bashkëpunim me SHBA-të se sa me fuqitë evropiane, që mund të shpjegohet me kujtesën post-koloniale, por edhe me paaftësinë e BE-së që të japë garanci të sigurisë në atë masë në të cilën këtë mund ta bëjnë SHBA-të. Nacionalizimi gjithnjë më i shprehur i idesë evropiane, hendeku në rritje në marrëdhëniet euro-atlantike dhe kriza gjithnjë më e thellë e kontinentit të vjetër nuk japin tepër besim në efektivitetin e fuqisë evropiane si faktor tërheqës të fuqisë së butë. 

Së këndejmi, klithma e fundit e shkrimtarit të vjetër nuk është e drejtuar kah Izraeli, e as nuk është e motivuar nga simpatitë politike ndaj Teheranit zyrtar. Përkundrazi, “ajo që duhet thënë patjetër” është kritikë e ashpër ndaj Evropës për busullën e humbur të vlerave, ku veprat e mendimit humanist evropian gjithnjë më tepër janë në diskrepancë me hapat e motiveve profituese evropiane dhe konformizmit vetë-rehatues politik. Një kritikë dinjitoze për fjalët e një kohe tjetër, të shprehura “me qëllim që të tërhiqet vëmendja e famës së plotfuqishme dhe t’i thuhet asaj që ylli juaj, aq i lumtur deri tani, është në rrezik prej njollave të turpshme dhe të pashlyeshme”. Fjalë të shkruara nga Emil Zola në vitin e largët 1898 në rastin Drajfus. Një shekull më vonë, mendoj që Zola do të ishte i kënaqur nga pasardhësi i tij gjerman.  

(Botuar në “Utrinski vesnik” të Shkupit më 9 prill 2012)

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close