Analistët, aksioni i policisë jo bindës

Aksioni i djeshëm policor “Monstrum” në vete ngërthen një pasiguri në dëshminë e suksesit, ndoshta është herët të flitet për faktet se cilat fakte duhet ta vërtetojnë saktësinë, mirëpo dyshimet që i lë ky aksion janë të mëdha dhe lënë gjurmë të jo profesionalizmit, dhe i hapin shtigjet  e llojeve të operacioneve të njohura deri tani,  siç ishte rasti i ‘Vreshtave të Rashtakut’ vlerëson analisti politik Alajdin Demiri.

‘Le shumë  dyshime fakti se përsëri shumë faktorë u implikuan,  faktori i shërbimeve serbe, faktori Miletiç, deputeti serb , dhe faktori i makro-terrorizmit. Këto janë implikimet jo bindëse të MPB-së, ky është ai frymëzimi i një realiteti që ndoshta edhe ka bazë,  mirëpo marketingu që i bëhet është i stër tepruar’ thotë për Portalb, analisti politik Alajdin Demiri.

‘Kjo është akuzë anti-shqiptare në tërësi  sepse i  identifikon shqiptarët  si anti-NATO dhe si terroristë, që në të vërtetë nuk është një realitet. Prandaj është shumë e rëndësishme te dëshmohet e vërteta, qoftë edhe kështu kjo si është, nëse ata struktura janë me të vërtetë kryerës të akteve të vrasjeve  duhet shumë ashpër të dënohen dhe të hiqet njolla nga shqiptarët.

Analistja e çështjeve të sigurisë Frosina Remenski thotë se ??B për herë të parë operon me terminologji ‘Islam radikal’, çfarë do që të thotë ai, dhe kualifikime ‘radikalë islamikë’ të cilat në fazën e mbledhjes së dëshmive  nga ana e policisë, janë totalisht të panevojshme.

‘Dëshimitë operative me të cilat disponon policia për të arrestuarit/të dyshuarit  mund të jenë valide vetëm kur të jenë direkt të ndërlidhura  me vrasjen e pesëfishtë. Operimi me përkatësinë fetare të të akuzuarve  në raportet e policisë dhe mediumeve, nuk e kushtëzon kuptimin e motivimit fetar me vrasjen e pesëfishtë. Këtë e them për shkak se pas vrasjes së pesëfishtë, pjesa më e madhe e supozimeve ishte mbjellja e frikës tek popullata, destabilizimi ndëretnik, etj, diheshin motivet por jo edhe kryerësit e veprës. Motivet dhe kryerësit duhet të kërkohen në procedurën gjyqësore. Edhe përdorimi i informacioneve se të dyshuarit kanë luftuar në Afganistan dhe Pakistan kundër NATO-s dhe se Maqedonia mund të jetë pjesë e sulmeve  terroriste , paraqet tentim të panevojshëm  për tërheqje të vëmendjes ndërkombëtare në prag të Samitit të NATO-s në Çikago, thotë ekspertja e çështjeve të  sigurisë, Frosina Remenski.

Është për keqardhje që reagimet publike pas arrestimeve vazhdojnë ne avazin e vjetër e binjakëzimit të arrestit dhe dënimit, duke harruar paragjykimin e pafajësisë të të akuzuarve deri sa gjyqi nuk sjell vendimin fuqiplotë, thotë publicisti Arsim Zekolli.

‘Këto reagime shkaktojnë këtë pezëm dhe indinjatë. Në ditët para nesh gjyqësori por edhe tërë shoqëria do vëhen para një sprove tejet të vështirë të dëshmimit të fajësisë për rastin konkret të vrasjes në Smilkovcë, dëshmi e cila do duhet të jetë e fokusuar në aktin konkret dhe e bazuar mbi fakte dhe dëshmi konkrete. Një proces i tillë është i vështirë për cilën do shoqëri, por posaçërisht për një sistem i cili ne shumë raste deri më tani ka dështuar apo as qe ka tentuar të jetë fer dhe i balancuar kur bëhet fjale për të akuzuar shqiptarë dhe jo-maqedonas. Prandaj, kësaj radhe, ne spikame te vëmendjes publike gjatë këtij procesi do jenë të barabartë (pa)fajësia e të akuzuarve dhe (jo)kredibiliteti i institucioneve. Nje proces transparent dhe solid, serioz dhe i bazuar mbi drejtësi do qetësonte gjakërat dhe shmangte reagime të mëtutjeshme’, deklaroi për Portalb publicisti Arsim Zekolli. 

Profesoresha universitare Biljana Vankovska thotë se operacioni është realizuar aq shpejtë, që është një befasi e madhe, por terminologjia sipas saj është përdorur në mënyrë të gabuar.

‘Është i pakuptueshëm gabimi në terminologji, dhe në vend se për të dyshuar flitej për kryerës të vrasjes. Pastaj ishte i pakuptimtë video xhirimi zyrtar, i cili gjithashtu është material dëshmues, menjëherë të shpërndahet nëpër media, po bilës edhe në Youtube. Ekziston një konfuzion se çfarë është kumtesa zyrtare ’grup radikalësh islamik’  terroristë që kanë luftuar në Afganistan dhe Pakistan, me fotot që tregonin ushtarët e UÇK-së. Mendoj se verzioni me xhihadistë dhe simpatizues të talebanëve është i  tepruar dhe është prezantuar për  të mos prekur në pikën e dobët, në përkatësinë etnike të të dyshuarve, me fjalë të tjera që të bëhet dallim me përkatësinë shqiptare dhe njëkohësisht pët të fituar simpatinë ndërkombëtare’ deklaroi për Portalb Vankovska.

Për analistin  Ramadan Ramadani Maqedonia kur nuk është rrezikuar nga ndonjë islam radikal, kur do të kishte thotë ai, do të kishte edhe subjekte që do ta përkrahnin atë dhe që do të dilnin e do të merrnin autorësinë e vrasjes.

‘Zakonisht aktet teroriste përcillen me kërkesa politike ose mesazh politik që në këtë rast mungon për lidhshmëri me masakrën mbi civilët në Smilkovcës. Përkundër krej çallimeve historike që ka pasur zhvillimi institucional i islamit në Maqedoni ai mbetet i pa ndikuar nga ideologji të huaja për këto treva dhe popuj pasi gjatë tërë kohës ka patur nëj arsim dhe edukim fetar që ka mbrojtur myslimanët nga këto ndikime eventuale.  Ajo që është me rëndësi të dihet gjatë këtyre bastisjeve, krimeve dhe shkeljeve të drejtave të njeriut është edhe fakti se nuk duhet asesi lejuar që të bëhet stigmatizim i ndonjë feje ose grupacioni dhe i njëjti të ndërlidhet me terrorizëm duke u emërtuar me te. Askush nuk është i kënaqur që ti përmendet feja e tij e asocuar me krime të tilla siç është rasti në emërtimin fatkeq “radikalizëm islamik”. Islami është një fe kosmopolite e më shumë se një miliardë njerëzve në botë dhe që është më me rëndësi për neve, është feja e një të tretës së popullatës këtu; përfshirë bashkësi të shumta etnike, qofshin ata shqiptarë, turq, boshnjakë dhe të tjerë’, deklaroi për Portalb, Ramadani.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button