Dëshmi nga familjarët e të arrestuarve, në makth presin para Gjykatës Themelore

Të afërmit e personave të arrestuar nga operacioni policor “Monstra” janë ende duke pritur para Gjykatës Themelore 1 ndonjë informatë mbi fatin e tyre. Ata thonë se nuk  kanë kurrfarë informate se  në çfarë gjendje janë, ndërkaq në Gjykatën Themelore të arrestuarit ende merren në pyetje për lidhshmërinë e mundshme me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë. 

Njëri nga familjarët e të arrestuarve për Portalb tha se djali i axhës së tij B.H dje nga mëngjesi deri në mëngjesin e ditës së ardhshme është marrë në pyetje prej shumë inspektorëve policorë.  

“Informatat mbi gjendjen e tij shëndetësore i mora nga avokati i tij që më tha se B.H. në disa çaste dhe është alivanosur. Sipas avokatit të B.H. thuhet se preteksti për arrestimin e tij ka qenë lidhshmëria e mundshme me njërin nga të arrestuarit i dyshuar për vrasjen e pesëfishtë. Por kjo nuk është arsye e fortë për ta shqetësuar një familje duke zhvilluar aksionin e tyre dhe të arrestojnë një njeri të ndershëm siç ishte B.H”, deklaroi familjari i ngushtë i të arrestuarit B.H.

Avokati Dragan Georgiev i cili ishte përfaqësues i dy palëve B.H. dhe një personi tjetër që është lëshuar që dje pasi ishte marrë në pyetje nga inspektorët, deklaroi nga përvoja e tij se diku rreth orës 16:00 do ketë mundësinë të mbrojë palën e tij para gjykatës hetimore.

Ndër familjarët e të arrestuarve ekskluzivisht për Portalb morëm në pyetje edhe djalin e axhës së 19 vjeçares nga Hasanbegu. 

“Vajzën e axhës sime e morën dhe e arrestuan pa as edhe një pikë faji, duke i shkaktuar lëndime trupore, kinse i fejuari i saj është i dyshimtë për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë dhe nuk munden t’i gjejnë asnjë gjurmë se ku gjendet i fejuari i saj”, tha djali i axhës i të arrestuarës 19 vjeçare.

Nuk mungonte pranë gjykatës edhe njëri nga familjarët të gruas së moshuar e cila u arrestua dje, i cili kishte ardhur nga Austria për ta mbështetur motrën e tij që jetonte e vetëm në shtëpinë e saj në Hotël para se të arrestohej. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button