Likovë : Përkujtohet 2 maji i konfliktit të 2001-shit

Që nga orët e mëngjesit të sotëm, në tërë komunën e Likovës kanë filluar aktivitetet për shënimin e 2 majit, Ditës së fillimit të konfliktit në vitin 2001 në Maqedoni, konflikt ky i cili pas disa muajsh luftime rezultoi me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Me këtë rast sot, në organizim të Komunës së Likovës në komplekset e varrezave në të gjitha fshatrat e Likovës u bënë homazhe luftëtarëve të cilët ranë dëshmorë në altarin e lirisë. 

“ Dy maji nuk është festë vetëm për Komunën e Likovës, por është festë mbarëkombëtare . Më 2 maj para 11 vitesh doli publikisht  UÇK, kurse qytetarët e këtij vendi, pa hezitim iu bashkëngjitën idesë për këtë kauzë kombëtare. Lufta e vitit 2001 u bë për barazinë e popullit shqiptar në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe fal asaj lufte dhe sakrificës së këtij populli u arrit Marrëveshja e Ohrit, e cila fatkeqësisht deri më sot nuk është realizuar në tërësi por neve që jemi të gjallë na mbetet të vazhdojmë me punë që të implementojmë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit. Kështu që sot në emër tim dhe qytetarëve të Likovës të gjithëve ju uroj këtë ditë të madhe të cilën duke e përkujtuar me pietet të ndërtojmë të ardhmen e popullatës sonë” tha kryetari i komunës së Likovës Sadulla Duraku, gjatë homazheve tek varrezat e dëshmorëve në Sllupçan”. 

Dy maji i vitit 2001 shënohet edhe si Ditë e  Komunës së  Likovës.  Me këtë rast në lokalet e Komunës u mbajt një program kulturor zbavitës , me ç’rast  fjalim rasti për rëndësinë e Ditës së Komunës , mbajti kreu i Komunës Sadulla Duraku , i cili rast duke përkujtuar të gjithë të rënët në altarin e lirisë edhe njëherë theksoi se lufta e 2001 ishte si rezultat i diskriminimit të skajshëm të shqiptarëve nga pushteti maqedonas./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button