RDK: Aksioni i MPB-së le hapsirë për dyshime!

Rilindja Demokratike Kombëtare kërkon nga shteti juridik që rastin e vrasjes kriminale  të  pesë personave në Shkup, ta zbardhë deri në fund dhe para drejtësisë t’i nxjerr fajtorët e vërtetë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar nga organet e drejtësisë.

“Aksioni i bastisjeve të dhjetëra shtëpive në Gazi Babë, Hasanbeg, Haraçinë dhe Hotël, si dhe arrestimi i 20 personave ndërmjet të cilëve edhe një plak dhe një plakë në moshë të shtyrë, të gjithë këta shqiptarë, nuk mund të kualifikohet si aksion i suksesshëm, aq më shumë të arsyetojë edhe vetë ermin e këtij aksioni – “Monstër” . Deklarata e ministres së brendshme, Gordana Jankullovska, se në shtëpitë e bastisura është gjetur një veturë, rreth dhjetë mijë euro, kompjuterë, telefona celularë dhe kartela telefoni, lë shumë për të dëshiruar se hetimet kanë qenë në drejtimin e duhur dhe se janë kapur aktorët e vërtetë. Video incizimet  e prezantuara nga vet MPB demantojnë deklaratat  e vet ministres, sepse këto video incizime dëshmojnë se te disa të akuzuar janë gjetur flamuj dhe emblema të  ish UÇK-së dhe jo materiale  propagandistike me përmbajtje radikale islamike.” – thonë nga RDK.

Sipas tyre, tentativa që problemet nga rrafshi kriminal të zhvendosen në rrafshin fetar, jo vetëm që janë te papranueshme, por edhe shumë të rrezikshme për sigurinë në vend dhe rajon dhe mund të jenë shkak për një zinxhir të ri të dhunës ku do ta pësonin qytetarët e pafajshëm pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare.

“Aksioni dhe deklaratat e MPB-së, lënë hapësirë të madhe që të dyshohet se e gjithë kjo që po ndodh pas vrasjes së pesëfishtë në Shkup, dëshirohet që të shfrytëzohet si një alibi para Samitit të NATO-s në Çikago, se kinse Maqedonia është shtet i cili lufton terrorizim islamik.
Ajo që më së shumti duhet ta bëjë shteti juridik në këto momente, është që të jetë sa më transparent në gjithë procesin që është në vijim, të jep sa më shumë detaje për aksionin dhe dëshmitë eventuale për vrasësit.  Nëse me të vërtetë policia e Maqedonisë ka për qëllim ta zbardh rastin, e jo vetëm ta mbyll rastin, tani kur mëton se i ka kapur aktorët e vërtetë, nuk ka përse të fshehë detajet me qëllim që siç din të arsyetohet  “në favor të ecurisë së hetimeve, nuk mund të japim më shumë detaje” shkruhet ne komunikatën e RDK-së.

Më tej nga partia e Osmanit thonë se është me interes për të vërtetën, të shihet se si do ta arsyetojë Jankullovska dhe zëvendësi i saj Xhelal Bajrami faktin se në veturën ‘Opel’ e gjetur 10 kilometra larg vendngjarjes së krimit, paskan mundur të hyjnë 20 persona dhe të sqarojë si guxon të përdorë termin vrasës për persona për të cilët as që ka filluar të zhvillohet procesi gjyqësor. Me këtë veprim  Jankullovksa vihet në rolin e polices, hetueses, prokurores dhe gjykatëses.

“Rilindja Demokratike Kombëtare është jetësisht e interesuar që të zbulohen aktorët e vërtetë për krimin e ndodhur në afërsi të Shkupit dhe ata të marrin dënimin ligjor, por njëkohesisht si subjekt politik është  kundër marrjes në qafë të njerëzve të pafajshëm dhe krijimin e pretekstit për akuza të pabaza në rrafsh nacional dhe fetar, e që do të ishin hyrje në një spirale të dhunës dhe jostabilitetit të kontrolluar për motive të përfitimit konjuktural politik” përfundojnë nga RDK. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button