Arrestohen 4 persona për trafik ndërkombëtar droge

Policia e Vlorës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Batica” duke arrestuar katër shtetas të shpallur në kërkim nga “Interpol Roma”, si pjesëtarë të një organizate kriminale me tendence trafikimin e narkotikëve. 

Në një njoftim për mediat, Policia e Vlorës bëri të ditur se të arrestuarit janë shtetasit: Skënder Gockaj, 42 vjeç, Julian Shabani, 31 vjeç, Adnand Xhelili, 42 vjeç, dhe Erjon Sadikaj, 29 vjeç. 

“Arrestimi i këtyre shtetasve që mbikqyreshin prej mëse 1-muaji nga shërbimet e policisë, u krye nga njësitë e specializuara të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë, në të njëjtën kohë mbrëmjen e djeshme, pasi në ngarkim të tyre Gjykata e Penale Lecce, Itali ka lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare më datë 21.10.2011 për veprat penale “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grupe kriminale”- njoftoi policia. 
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi të konsiderueshme droge, të llojit cannabis sativa dhe heroinë. 

Mësohet se njërit prej të arrestuarve, shtetasit Erjon Sadikaj, gjatë kontrollit personal i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri tip pistoletë me mulli me pesë fishekë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button