fbpx

Takimi Zaev – Kasami, deklarohet Qeveria e Maqedonisë

Bilall Kasami i Lëvizjes BESA dje ka qenë në takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Siç njoftoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, temë diskutimi i takimit ka qenë që të sigurohet mbështetje e grupit parlamentar të Lëvizjes BESA për miratimin-ndryshimin e ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë, raporton Portalb.mk.

Boshnjakovski njoftoi se Bilall Kasami, Zoran Zaevit i ka siguruar mbështetje nga grupi parlamentar i BESA-s.

“Temë diskutimi i takimit të djeshëm ka qenë që të sigurohet mbështetje nga Lëvizja BESA për miratim-ndryshimet e ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë. Kasami ka siguruar se do të japë mbështetje në Kuvend”, tha Boshnjakovski.

Duke e pasur parasysh se takimi erdhi pas konflikteve brendapartiake të Lëvizjes BESA, ku një grup i “besatarëve” e shkarkuan Bilall Kasamin nga posti i liderit të partisë, Boshnjakovski duke dashur që t’i ikë legjitimitetit të Kasamit si lider i partisë nga Zoran Zaev, deklaroi se “takimi ka qenë i caktuar më parë“.

Se takimi ka qenë i caktuar më parë u tha edhe nga Bilall Kasami.

“Takimi me Zaevin nuk a lidhje me ndodhitë në Lëvizjen BESA. Jemi marrë vesh që të takohem që nga java e kaluar. Do të bisedojmë për reformat dhe përkrahjen e rrjedhjes reformuese të Qeverisë në Kuvend, ku Lëvizja BESA ka 5 deputetë”, tha Kasami.

BESA në Qeveri?

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i pyetur për atë se në takimin Zaev – Kasami a është diskutuar edhe për mundësinë e hyrjes së BESA-s në Qeverinë e Maqedonisë, ai tha shkurt: “Kjo nuk ka qenë temë diskutimi”, tha Boshnjakovski.

Në lidhje me këtë, dje Bilall Kasami tha se ky është proces dinamik dhe se ka mundësi për hyrje-dalje, por për momentin ajo nuk është tema.

“Lëvizja Besa nuk kalkulon në lidhje me atë nëse do të jetë pjesë e Qeverisë apo jo, për Lëvizjen Besa me rëndësi janë proceset reformuese e jo nëse do të jenë pjesë e Qeverisë dhe në këtë drejtim e kemi treguar në të kaluarën dhe kemi përkrahur të gjitha vendimet e Qeverisë që janë në këtë vijë”, deklaroi Kasami.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close