NATO- Qeveria lobon, qytetarët në protesta

Sytë e shtetit janë drejtuar nga Samiti i NATO-s që do të mbahet më 21 dhe 22 maj në Çikago. Sinjalet që vijnë nga ndërkombëtarët nuk janë pozitive sepse në agjendën e Samitit nuk paralajmërohet zgjerim i ri. Por përkundër kësaj Qeveria vazhdon lobimet, Ministri i jashtëm Nikolla Popovski në një intervistë për MSNB tha se Maqedonia është vendi i pesë me radhë nga shtetet që më shumë kontribuojnë në misionin e paqes në Afganistan, si pasojë vendi duhet të bëhet anëtare e NATO-s.

“Maqedonia është vendi i pestë më i madh nga vendet që kontribuojnë në Afganistan dhe ne kemi treguar kapacitet të veprojmë dhe të kontribuojmë në këtë mision. Maqedonia definitivisht është vend i cili duhet të bëhet antar i NATO-s dhe këtë e meriton” ka thënë Popovski.

Edhe Fatmir Besimi, ministër i mbrojtjes dha sinjale të njëjta në një takim të realizuar me homologun e tij norvegjez, Espen Barth Ejde. Ndërkaq ky i fundit i konfirmoi Besimit se Norvegjia do të vazhdojë të përkrahë aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë. Aktivitete të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski si dhe presidenti Gjorge Ivanov.

 Por ku qëndron problemi? Natyrisht, është çështja e emrit.

“Maqedonia e meriton vendin në NATO por ende ka çështje të hapura me emrin, kjo duhet të zgjidhet dhe më pas vendi mund të bëhet anëtare në Aleancë në çdo kohë” është ky mesazhi që thuajse secili përfaqësues i diplomacisë së huaj e ka thënë gjatë vizitave në vend.

Situata e tillë acaron dhe qytetarët, madje flitet se do të mbahen protesta anti-NATO, më 19 maj, pak ditë para Samitit. Kësaj dhe i shtohen planet për aktivitete dhe anti-Bashkimit Evropian në ditën e Evropës më 9 maj. Të gjitha këto, si që përcjellin disa medie maqedonase, janë në prapavijë të organizuara nga pushteti, si një formë presioni ndaj ndërkombëtarëve.

Në këtë informatë që ende mbetet e jozyrtare, partitë shqiptare kanë reaguar ashpër sepse sipas tyre 100% e shqiptarëve janë për anëtarësim në NATO, nuk ka vend për NATO-skepticizëm.

Zëdhënësi i partisë shqiptare në pushtet e ka quajtur çmenduri motivin e tillë për protesta.
“Informacionet për një miting anti-NATO tani për tani janë ende në nivel të spekulimeve, ne nuk kemi informacion për një miting të tillë. Edhe pse e drejta e protestës dhe mitingjeve është e drejtë demokratike, një motiv i tillë për protesta do të ishte çmenduri dhe provokim” tha Osmani.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Zijadin Sela tha se nëse ndodhi këto protesta, ato sigurisht që do të ndikojnë keq në imazhin e Maqedonisë që sipas tij është i rrënuar që moti.

“Nëse ndodhin protestat e tilla, nuk duhet të ketë dyshim se shqiptarët a do të jenë pjesë e saj. Natyrisht që 100% e shqiptarëve nuk i përkrahin ato sepse të gjithë janë pro anëtarësimit në NATO. Intencat e tilla janë një lloj instrumentalizmi i Qeverisë” tha Sela. Ai theksoi se protestat do të jenë tregues për premtimet boshe të qeverisë së “tenderëve” VMRO dhe BDI si dhe do të nxjerrin në pah se ata nuk e kanë menduar me gjithë mend anëtarësimin në strukturat euro-atlantike, por e kanë pasur vetën premtim elektoral.

Ndërkaq nga RDK thanë se protestat janë shprehje e disa qarqeve të errëta në Maqedoni që nuk duan euro-integrimin e Maqedonisë.

 “Kjo është shprehje e disa qarqeve të errëta në Maqedoni që nuk duan integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE nga njëra anë dhe grupeve të ndryshme nga ana tjetër të cilat janë të zhgënjyera nga gënjeshtrat e kësaj qeverie  e cila vetëm premton integrim dhe se realizon asnjëherë dot, dhe kjo kthehet në një politikë bumerang që për dështimet në mos integrimin e vendit nga koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI akuzohet NATO-ja”, deklaroi Artan Dika, zëdhënës i RDK-së. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button