Kumanovë: Sanohen rrugët e dëmtuara

Në komunën e Kumanovës ditëve të fundit është ndërmarrë një aktivitet i gjerë për meremetimin e rrugëve të qytetit, të cilat ishin të dëmtuara skajshmërisht gjatë dimrit të sivjemë. Shumë rrugë të qytetit kohëve të fundit janë bërë të pabërballueshme për ngasësit e makinave, me ç’rast u janë shkaktuar edhe dëme të shumta nga gropat e mëdha nëpër rrugë. 

Meremetimin e rrugëve po e kryen NP “Vodovod” e cila ka angazhuar maqinerinë e vet për “arnimin“ e rrugëve me asfalt të ri. 

Nga kjo ndërmarrje kumanovare thonë se fillimisht po meremetohen rrugët në pjesën qendrore të qytetit ku edhe vërehet frekuentim më i madh në trafik, kurse më vonë me këtë aktivitet do të përfshihen edhe rrugët tjera të qytetit të Kumanovës. 

Mësohet se ky aktivitet do të zgjasë deri në muajin tetor të këtij viti, për çka planifikohet të shpenzohen rreth 4 milionë denarë. 

Ndryshe përpos meremetimit të rrugëve të dëmtuara, NP “Vodovod“ e ka për obligim t’i sanojë edhe ato rrugë, në të cilat ndërmarrja ka intervenuar për shkak të defekteve në ujësjellësin e qytetit. 

Aktivitetin më të ri të kësaj ndërmarrjeje e përshëndesin qytetarët e sidomos pronarët e makinave të ndryshme, të cilët për disa muaj përballen me telashe në trafik./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button