Në Olimpiadën kulturore në Londër asnjë artist shqiptar!

Në Olimpiadën kulturore që nga 3 deri 14 maj do të zhvillohet në Londër nuk do prezantohet asnjë artist apo institucion kulturor që do të prezantonte kulturën shqiptare nga Maqedonia atje.

Olimpiada kulturore është paraparë si një kombinim i  kulturës me sportin në prag të Olimpiadës dhe ideator i saj është Pjer de Kuberten, babait të Lojërave olimpike, i cili kishte për qëllim prezantimin e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme botërore së bashku me sportin si ura lidhëse mes kombeve.

Por kjo nuk do të ndodh edhe me Maqedoninë, që edhe pse është shtet multi kulturor dhe multi etnik, promovon vlerat dhe kulturën e vetëm një etnie.

Në Londër për dy javë kulturën maqedonase do ta prezantojnë violinisti Simon Tërpçevski, Teatri i Manastirit, Muzeu i artit bashkëkohorë si dhe një grup shkrimtarësh e publicistësh maqedonas të cilët do ti promovojnë ‘130 vëllimet e letërsisë maqedonase’.   

Muzafer Bislimi sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës e kulturës thotë se përfaqësimi në Londër është bërë nga kambineti i ministres Kançevska, në kuadër të programit vjetor, dhe se nuk ka qenë pjesë e ekipit që ka përzgjedhur prezantuesit.

Artistët shqiptarë ndjehen të diskriminuar dhe të anashkaluar, as që informohen dhe as që ftohen në evenimente të këtilla.

Drejtori i Teatrit shqiptar në Shkup Adem Karaga thotë se Institucioni që drejton ai, nuk është informuar për pjesëmarrjen në Festivalin kulturor në Londër, duke shtuar se repertuarin e tyre kanë shumë shfaqje me të cilat do të mund ta përfaqësonin në mënyrë dinjitoze shtetin.

‘Ne kemi arsye dhe motiv shumë të madh që për nder të jubileut 60 vjeçar të marrim pjesë në këtë eveniment prestigjioz kulturor,  por se nuk kemi pas asnjëherë ftesë apo informatë nga ministria e kulturës se shteti do të përfaqësohet në këtë festival, dhe as që dimë se si janë përzgjedhur pjesëmarrësit. Nëse është bërë përzgjedhje selektive kjo është çështje e ministrisë dhe ata duhet dhënë sqarim, thotë për Portalb Karaga.

Nga Ministria e kulturës na informuan se për mënyrën e organizimit të prezantimit në Londër dhe për mënyrën e përzgjedhjes së artistëve do të na infotmojnë me shkrim, gjë që nuk ndodhi. Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se pse anashkalohet kultura shqiptare si dhe ajo e atnive tjera që jetojnë në Maqedoni.

Ja artistët dhe grupet që do të përfaqësojnë kulturën monoetnike në Londër.

Pijanisti Simon Tërpçevski do të performojë më 3 maj në ‘Rojal Festival hall’ me ‘Koncertin numër 2’ nga Franc List nën përcjelljen e Filharmonisë së Londrës dhe nën dirigjimin e Filip Gjordan.

Në Londër do të marrë pjesë edhe teatri i Manastirit me shfaqjen ‘Henri i gjashtë’  në regji të Xhon Blondel, në teatrin e njohur Shekspir gloub theatre më 12 dhe 13 maj. Teatri  i Manastirit do të luaj pjesën e tretë të të ashtuquajturës ‘Trilogji ballkanike’, ndërsa pjesën e pare dhe të dytë e luajnë teatrot nga Beogradi dhe Tirana.

Pjesëmarrës në festival do të jenë edhe Muzeu i artit bashkëkohorë me projektin ‘Made in Macedonia’ të kuratores Viktorija Vaseva-Dimovska, ku me pjesë të tyre do të paraqiten shumë artistë bashkëkohorë maqedonas.

Gjithashtu një grup publicistësh maqedonas më 14 maj në ‘London University college’ në hapësirat e studimeve dhe gjuhëve slave do ti promovojnë ‘130 vëllimet e letërsisë maqedonase’.   

Do të ketë edhe kocerte me këngë dhe valle maqedonase  nga të gjitha pjesët e Maqedonisë, si dhe muzikë xhez modern. 

Ditët e kulturës maqedonase në Londër janë pjesë e Olimpiadës kulturore, që mbahen sipas  idesë së Pjer de Kuberten, babait të Lojërave olimpike, si kombinim i sportit, kulturës dhe gjuhëve botërore.

Pjesëmarësit nga Maqedonia do të paraqiten nën një simbol të vetëm, fluturës në filigran.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button