Bilall Kasami: Nuk ka dy Lëvizje BESA, deri në kongres ngelem kryetar partie (VIDEO)

Bilall Kasami i Lëvizjes BESA në konferencën për media që u mbajt sot në Shkup tha se nuk ka dy Lëvizje BESA, por është një dhe ajo do të funksionojë në bazë të vendimeve që u sollën më 6 janar të 2018-s në mbledhjen e Këshillit Qendror në Tetovë, raporton Portalb.mk.
Ai tha se do të mbetet kryetar deri në mbajtjen e Kongresit ndërsa fraksionin që e shkarkoi atë dhe e vendosi përkohësisht Nexhbedin Karemanin në krye, ai e quajti “një grup që ka pretendime për kreun e partisë dhe vetëm disa anëtarë të Këshillit Qendror”, njofton Portalb.mk.

“Më 22 dhjetor është dërguar ftesë të anëtarët e kryesisë janë ftuar më 6 janar në selinë e partisë në Tetovë. Në mbledhjen e 6 janarit kanë qenë të pranishëm shumica e anëtarësisë së Kryesisë Qendrore dhe ku u sollën vendimet për mbajtjen e kongresit të parë të partisë dhe deri atëherë unë të ngelem kryetar partie. Në po të njëjtën ditë disa anëtarë të Këshilli Qendror në Shkup kanë hapur me forcë selinë dhe kanë mbajtur mbledhje me njerëz që nuk janë pjesë e Këshillit Qendror. Përveç kësaj, ata kanë angazhuar edhe sigurim që të pengojë hyrjen time në seli, por unë më 6 janar kam paraqitur rastin nga ku është parë se ata janë autorizuar nga persona të paautorizuar.”, tha Kasami.

Edhe përkundër konfirmimit të policisë Kasami tha se hyrja në selinë e Shkupit të hënën nuk ka qenë në mënyrë të dhunshme.

“Shumë media kanë raportuar se ne kemi hyrë me forcë në seli, kur unë kam hyrë në shtëpinë time” tha ai.

Ai tha se do të kandidojë për kryetar.

“Ftoj të gjithë anëtarët që e konsiderojnë veten si pjesëtarë të Lëvizjes BESA të vazhdojnë me garën. Unë do të kandidoj si kryetar, por kjo nuk do të thotë se unë do të bëhem kryetar, sepse kjo do të varet nga strukturat e partisë dhe delegatët”, tha Kasami.

“Kushdo që ka pretendime të vijë në krye të partisë ka norma statutore dhe ajo mund të bëhet në bazë të tij. Le të kandidojnë”, tha Kasami.

Kërcënimi ndaj Nexhbedin Karemanit

“Fillimisht dënoj çdo kërcënim dhe çdo dhunë që mund t’i bëhet çdo personi, për më shumë një anëtari dhe një deputeti të Lëvizjes BESA. Me zotëri Karemanin kam qenë në komunikim të rregullt, e përkrah dhe ftoj që të vijë që bashkërisht të shohim se kush janë ata persona, kush e ka kërcënuar. Besoj se rastin e ka paraqitur në organet e rendit dhe me këtë të merren organet e rendit. Ne si parti, unë personalisht dhe gjithë anëtarët e Lëvizjes BESA, besoj se një kërcënim i tillë nuk ka ardhur nga Lëvizja BESA.” u shpreh ai.

Shkarkimi i Zejd Rexhepit dhe Afrim Gashit

Në pyetjen e Portalb.mk pse ai duke qenë lider partie ka shkarkuar anëtarë të Këshillit Qendror, Zejd Rexhepin dhe Afrim Gashin, edhe pse me statut këtë gjë nuk mund ta bëjë, Kasami nuk dha përgjigje konkrete duke thënë se “bëhet fjalë për lojra politike”.

Gjithashtu, ai nuk u përgjigj konkretisht në pyetjen se pse të shtunën në mbledhjen ku u vendos që të mbetet ai në krye të partisë deri në mbajtjen e kongresit, kanë votuar persona që nuk i takojnë Keshillit si dhe a i takojnë Këshillit personat: Hulusi Asipi, Avni Saliji, Adnan Sejfullai, Nashit Ferati?

“Janë anëtarë të Këshillit. Kjo është çështje e brendshme partiake” tha ai.

Lufta për kreun, Andan Ismaili shkak i përçarjes?

Në pytjen gazetareske se ai ishte mundësia që Adnan Ismaili të jetë lider i BESA-s shkak që BESA u nda në dy grupe, Kasami u shpreh: “Nuk ka luftë në Lëvizjen BESA për vulat e partisë. Lëvizja BESA funksionon në bazë të gjitha rregullave të saj, nënkuptohet që ka që para kongresit të ketë edhe individë edhe grupe të pakënaqura. Por sërish i ftoj që edhe ata të futen në garë komfor rregullit dhe normave statutore që të garojnë në këtë kongres të parë të Lëvizjes BESA. Kushdo që ka pretendime për të ardhur në krye të Lëvizjes BESA, normat statutore janë të qarta dhe le të garojë ashtu siç e parashohin ato”, tha Kasami.

Konflikt brendapartiak – “për” dhe “kundër” Bilall Kasamit

Ndryshe, Lëvizja BESA është ndarë në dy fraksione – ai që e përkrah kryetarin aktual Bilall Kasami dhe ai që kërkon dorëheqjen e tij. Ndodhitë në Lëvizjen BESA nisën që më 5 janar, gjegjësisht të premten, kur Zeqirija Ibrahimi dha dorëheqje nga posti nënkryetar i partisë, ndërkaq një ditë më vonë, nëpërmjet një komunikate, Lëvizja BESA ka informuar se prej një nate më parë faqja e kryetarit të Lëvizjes BESA dhe të kryetarit të saj, Bilall Kasami, janë hakuar.

Mbrëmjen e së shtunës u mbajtën Këshilli Qendror në Tetovë, e cila vendosi që të mbahet kongresi i partisë më 24 shkurt, ndërkaq paralelisht mbajti mbledhje edhe Këshilli Qendror i Shkupit, që vendosi ta shkarkojë nga detyra kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe në vend të tij të zgjedhin u.d. kryetar deri në mbajtjen e kongresit, Nexhbedin Karemanin.

Megjithatë, Bilall Kasami për Portalb.mk deklaroi se shkarkimi i tij është vendim ilegal, jashtë statutit të partisë. Ai tha se edhe hyrja në selinë e Shkupit është bërë në mënyrë ilegale, siç thotë ai, sikurse u thyen edhe faqet zyrtare në Facebook.

Të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmon hyrjen e Bilall Kasamit, siç thonë ata, të dhunshme në Selinë e Lëvizjes BESA, ndërkaq nuk jep detaje konkrete pasi që po kryhen biseda në polici. Megjithatë, Kasami ka thënë se ai nuk ka hyrë me forcë në selinë e Lëvizjes BESA në Shkup dhe të njëjtët i quajti spina.

Fraksioni i Kasamit insiston se ka legalitet të plotë në parti dhe se ata që i quan “uzurpator” të selisë do të marrin padi penale dhe do të përgjigjen përpara organeve të rendit. Nga ana tjetër, fraksioni i Karemanit, insiston në ilegalitetin e Kasamit, duke thënë që shumica e Kryesisë Qendrore e ka shkarkuar atë nga posti i kryetarit.

Kronologjia e ngjarjeve: 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button