Sadi Bexheti merr titullin Ambasador i paqes

Federata Universale e Paqes, të dielën në Tiranë, i ka dhënë titullin Ambasador i Paqes kryetarit të komunës së Tetovës, Sadi Bexhetit. Ky titull i është ndarë kryetarit Bexheti gjatë konferencës dyditore rajonale në temën “Roli dhe rëndësia e shqiptarëve për paqen e qëndrueshme në Ballkan“.

Kryetari Bexheti me pjesëmarrjen e tij të plotë në këtë konferencë, një ditë më parë, të shtunën, ka ligjëruar mbi temën “Shqiptarët, një komb i paqes”. Të pranishëm në këtë panel diskutim kanë qenë edhe udhëheqës të Federatës së Paqes Universale, ish presidentët Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Fatmir Sejdiu dhe personalitete tjera nga jeta publike, ndërsa kryetari Bexheti ka qenë ligjërues i vetëm nga Maqedonia.

“Historia e shqiptarëve, pavarësisht nga trysnitë në periudha të ndryshme kohore, në esencë gjithmonë ka qenë paqedashëse. Shqiptarët historikisht përfaqësojnë një komb me identitet të hapur që brenda vetes ka kultivuar vlerat më të mirëqena të tolerancës dhe komunikimit të pandërprerë me familjen e madhe të popujve evropian dhe më gjerë”, ka thënë kryetari Bexheti në këtë panel diskutim.

Ai ka theksuar se edhe historia politike e shqiptarëve si komb shënon pikërisht këtë vlerë të padiskutueshme të paqes dhe të tolerancës me të tjerët. 

“Pikërisht, paqja, si një kryevlerë e racës njerëzore, për shqiptarët mbetet një trashëgimi historike dhe në të njëjtën kohë një orientim i përhershëm për të ardhmen e tyre. Paqja dhe humanizmi te shqiptarët njohin edhe protagonistë konkret, të cilët tashmë i kanë dhënë botës vlerat më të mira në dobi të njerëzimit. Dy nobelistët shqiptarë, Nëna Terezë dhe Ferid Murati, përfaqësojnë denjësisht këtë trashëgimi humane të shqiptarëve në nivel botëror dhe orientimin e shqiptarëve për të qenë pjesë e vlerave më të mira gjithënjerëzore”, ka theksuar Bexheti.

Sipas tij, edhe në nivel lokal tashmë po punohet me përkushtim të jashtëzakonshëm për kultivimin dhe promovimin e dinjitetit njerëzor pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. “Orientimi i historik i shqiptarëve përputhet plotësisht me misionin e fisëm të Federatës së Paqes Universale që i jep jetës sonë kuptimin më të thellë të tolerancës dhe humanitetit, që i jep jetës sonë vlerat më të mira familjare dhe shoqërore”, është shprehur kryetari Bexheti. 

Nga konferenca dy ditore në Tiranë kushtuar rolit të shqiptarëve për paqe, janë miratuar edhe disa konkluza. Në këto konkluza mes tjerash thuhet se shqiptarët ndërtuan përgjatë shekujve një themel për bashkëpunim ndërfetar. Konferenca ka bërë thirrje për studim dhe promovimin e këtij themeli dhe përhapjen e tij përtej kufijve kombëtarë, racial, fetarë dhe kufijve të tjerë./portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button