Më pak vepra penale në Kosovë

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se në tremujorin e parë të këtij viti, numri i veprave penale të raportuara ka shënuar rënie për 11 për qind. Zyrtarë të policisë thonë se gjatë kësaj periudhe janë shtuar aktivitetet në parandalimin dhe luftimin e krimeve, siç janë trafikimi me qenie njerëzore dhe me lëndë narkotike, ndërsa ka pasur arrestime të shumta të kryesve të këtyre veprave penale.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu thotë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, sa i përket trafikimit me qenie njerëzore janë hapur 35 raste, prej të cilave 29 janë dërguar në prokurori me kryes të njohur të këtyre veprave penale.

“Janë hetuar edhe 47 raste të cilat janë iniciuar bazuar në informatat që policia ka pranuar nëpërmjet formave operative apo qytetarë të ndryshëm”, ka thënë Sadriu, transmeton Rtk.

Sadriu bëri të ditur se 29 raste të tjera janë mbyllur me raport të veçantë, pasi që prokuroria dhe hetuesit kanë konstatuar në këto raste se nuk kemi të bëjmë me aktivitete kriminale.

Ai gjithashtu tha se në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore ka një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet prokurorisë dhe policisë, sidomos gjatë këtij viti sepse prokurorët tani po i trajtojnë me prioritet rastet e trafikimit me qenie njerëzore. Sipas Sadriut kjo ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të policisë në luftimin e krimit. /telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button