Edhe BDI do të freskohet

Vala e freskimeve që e pret partinë shqiptare në pushtet  BDI,  do të fillojë me ndërrimin e disa kryetarëve të degëve partiake në disa qytete. Nuk përmenden emra, por askush nuk e ka vendin e sigurt, kuptojmë nga burime të partisë shqiptare në pushtet.

Ndryshimet në BDI do të fillojnë nga drejtuesit e degëve, do të vazhdojnë me eshalonin e dytë dhe të tretë, thonë burime brenda partisë.

Kryesia Qendrore e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë mbledhjes së fundit veç më ka analizuar punën e drejtuesve nga radhët e saj, në bazë të raporteve mbi punën e drejtuesve të institucioneve të emëruar apo të zgjedhur me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Cilët funksionarë do të vazhdojnë detyrën dhe cilët jo do të dihet më 12 maj kur është caktuar  mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të partisë. 
Sipas statutit të partisë, anëtarët e Këshillit të përgjithshëm kanë të drejtë të japin propozimet e tyre për secilin funksionarë, por vendimi është e drejtë ekskluzive e Kryesisë dhe kryetarit të partisë.

‘Megjithatë nuk do të ketë ndryshime të mëdha, situata tek ne nuk është as për së afërmi e ngjashme me situatën në VMRO-DPMNE’, thonë burime brenda BDI-së.
Në këtë mbledhje e 12 majit, organi më i lartë i BDI-së do të shqyrtojë raportet mbi punën e të gjithë funksionarëve të BDI.

E ardhmja e funksionarëve do të varet shumë nga raportet e tyre me degët që i kanë propozuar në funksione. BDI do të ketë  zgjedhje në të gjitha organet e partisë. 

Kryesia Qendrore ditë më parë solli  vendim për fillimin e zgjedhjeve në të gjitha degët e partisë,  përfshirë edhe Forumin e Grave si dhe Forumin Rinor të BDI, ndërsa përmes  ripërtirjes së regjistrit të anëtarësisë, edhe BDI ashtu siç bën edhe partneri i saj VMRO-DPMNE do të mundësojë kyçjen e njerëzve të rinjë në strukturat e partisë.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button