E bukura

Një mbrëmje e rëndomtë, në pritje të lajmeve, varg. Tryeza e darkës, akoma rri shtruar, deri në një moment më të përshtatshëm. Dëgjoj tingujt e të qeshurave të fëmijëve nga dhoma e tyre dhe më shkon buza në gaz. Bën akoma ftohtë, përkundër insistimit të Borës që duhet veshur patjetër fustanin nesër në shkollë. Mali, vjen furishëm për t’u ankuar nga motra për diçka, e që ndërkohë derisa arrin tek une, e harron fare se për çka do ankohej. Buzëqesh dhe ai vetë! Derisa ngrej pjata e fundit në lavaman, urdhëroj Borën që të ndërpresë lojën dhe të ulet t’i bëjë detyrat. Mali vjen dhe më thotë: “Edhe 2 anuta”. Bora, injoron seriozisht urdhërin tim jo-serioz, duke kërkuar të ja lidh fustanin me zingjir të prishur, me një nga shallet e mija të mëndafshta. Flokët e qapurishura kinse i kishte stolisur me një rreth flokësh, rrush prej luleve të bardha sintetike. Buzët ndërkaq, i kishte skuqur sa s’bëhet, me një nga buzëkuqët e mija, që nuk i përdor kurrë. Tani, po kërkonte edhe karrigen për të arritur takat e mija për raste të veçanta, në dollapin më të lartë të banesës. Nuk e dija nëse ishte zanë, nuse apo mbretëreshë? ! Dhe në fund, më del përpara, dhe më pyet: “A jam e bukur?”
 
E përqëndruar komplet në diçka tjetër, e shikoj pa vëmendje, dhe i buzëqesh, pa i folur fare. Por në fakt, do të duhej t’i kisha thënë diçka. Do të duhej të mungoja 10 minuta nga pjatat e palara, sa e për të “shpërlarë” mendjen nga të gjitha konceptet e gabuara të së bukurës. Do të duhej të ulesha në gjunj, dhe t’a shikoja drejt e në bebëzat e syrit e t’i thoja nja dy tre fjalë për të bukurën- se jo gjithçka që vezullon është e bukur. Se jo gjithçka e kuqe është e bukur, dhe se ndonjëherë s’ka më bukur se  “shëmtia” në perfeksion! Normalisht, do të duhej t’ia kisha thënë këtë me ato pak fjalë të mëdha që Bora sapo ka filluar t’i përdor në zhargonin e saj 6 vjeqar. U ndala për një copë herë dhe mendova shumë seriozisht për të bukurën.
 
Është fakt i pamohueshëm dhe më se e natyrshme që e bukura ka pësuar ndryshime në standardizimin e saj. Normalisht që njerëzit ndër vite e kanë perfeksionuar të bukurën ashtu siq u ka konvenuar atyre. Ndonjëherë për më mirë ndonjëherë për më keq. Më pas, kompanitë e ndryshme afariste për të maksimalizuar shitjen e produkteve të tyre kishin zbuluar gratë me lëkurë të thekur e me bikine qëllimisht dy numra më të vegjël, meshkujt tërë muskuj e të djersitur nga të ngrohtit e verës me një cigarë në gojë, dhe grupe vajzash 13 vjeqare, që lyejnë puçrrat me kremëra, qeshin së koti dhe nguten për të arritur në takimet me djemtë moshatarë.
 
Te ne gjithashtu e bukura është keqkuptuar aq shumë saqë rrallë ka kufi midis të bukurës dhe vullgares. Shih spotet e estradës, si një kopjim i keq i këngëtareve në Bullgarinë fqinje. Bisedat rrallë fokusohen në një libër të lexuar, film me vlerë artistike ose edhe ndonjë ekspozitë artisti të ri. CD-të e klasikëve nuk shiten askund, pos me kërkesë të veçantë për t’a nxjerrë nga magazini i mallërave univerzale. E një dyqan i veshjeve të brendshme fare pranë zyres sime çdo ditë më bën të qesh me kukullat manekine, të veshura me veshë të gjatë lepuri në kokë e të mbathura super-seksi në prapanicë, të shenjuar me një topth leshi, si imitim i bishtit të lepurit! E prej kur, mendova me vete, meshkujt kanë dëshirë të kenë marrëdhënie seksuale me lepur?! Na morre në qafë or Hugh Hefner!
 
Efekti i shtyerjes me zor të koncepteve boshe të bukurisë ka prekur edhe shoqërinë tonë, falë globalizimit, internetit dhe televizionit kabllor. Mjafton që të dalësh një mbrëmje në një nga kafenetë e Prishtinës, dhe të duket vetja hiq më shumë se një praktikante shëmtaraqe midis manekineve në pregaditjet para sfilatës së modës.
 
Ja për shembull, e mërkure mbrëma. Kafeneja plot gjak të ri dhe pak me të vjetër. Toaletit si hapet dera. Brenda, tre vajza të reja, ne te 20-tat. Komunikim i pistë marinarësh me telefon. Make-up i shpërndarë gjithandej, për të shtresuar edhe më fasadën, mbi mishin e bardhë e të freskët, në përpjekje për të impresionuar gjakun e vjetër. Ndërkaq poshtë këmishes së zbërthyer, një boshllëk i madh. Një mungesë uni që të tmerron. Instinkti amënor më shtrëngon për t’ju thënë: “Jeni të bukura ashtu si jeni!” Sepse në fund, doja t’u thosha, pas buzëkuqit të shpërlarë, mbetesh ti dhe vetëm ti!
 
Para disa dite, në fillesat e rrezeve të para të diellit shumë të vonuar, po pija kafe me një nga shoqet e mija më të mira të fëmijërisë. E kisha njohur qysh se fëmijë, më pas dhe në shkollë e deri sot, të transformuar në një nënë të devotshme dhe shoqe plotë besë. Po bisedonim për gjëra të rëndomta. Nuk po zënim në gojë as paqën botërore ose luftën kundër varfërisë. Megjithatë, unë si rëndom, po flisja me tërë fytyrën, se ndryshe nuk dijë të flasë! Vëjë në përdorim gjuhën, duartë dhe sidomos ballin për t’i dhënë forcë asaj që po e them.  Dhe kjo më është dukur e bukur. Deri në atë ditë në fakt, kur derisa po flisja shoqja ime më tha që do të duhej të kisha më shumë kujdes në mimikëzimin e ballit, meqë më ishin formësuar rrudhat që njihen si vijëzat e të shprehurit. Në fakt, ajo që më ishte dukur e bukur dhe e pavëmendshme, sepse kurrë nuk e kisha menduar se si po lëvizja ballin gjatë një bisede, tani më dukej tmerruese. Unëpo plakesha sa herë po flisja! Çdo fjalë goje, një lug shtesë në ballin tim të sheshtë, e të bukur, siq e mendoja ose se mendoja fare dikur.
 
Dhe në fakt kishin kaluar ditë përgjatë të cilave unë ishe obsesionuar me ballin tim. Madje, pa turpësi e them që kisha bërë përpjekje edhe të ushtroja të folurit pa lëvizur ballin. Deri në një moment kur një poq elektrik më ishte ndezur në kokë. Po e bukura ishte se jo të gjithë jemi të njëjtë. Dikush ka ball pa rrudha po një hundë më të shprehur. Dikush ka sy të vegjël, mirëpo flokë të mëndafshta. Dikush tjetër ka trup më të të formësuar mirëpo zemrën e ka të madhe shumë të madhe.
 
Kthehem sërish te vetvetja- një vështrim kokë e këmbë që çuditërisht më qetëson! Flokët me maja të lulëzuara nuk më bezdisnin dhe aq, se aq shumë kënaqem me jetën ndërkohë që harroj fare që duhet prerë lëshërat çdo tre muaj për t’u duk bukur. Thonjët më duken si rrokaqiej të rradhitur- disa më të gjatë e të tjerët fare të shkurtër. Kjo, meqë i kam qarë e thyer të tërat duke u palavitur me fëmijët gjatë lojës në shtëpi. Ballin e kam me rrudha, meqë kam folur shumë, dhe s’kam lënë rreze dielli pa shijuar, jashtë me fëmijët, gjatë shëtitjeve hulumtuese në parkun e qyetit.  Po sytë mi keni parë? Edhe në sy, kam ca shenjëza të vogla që me gjasë i kam fituar kur kam qarë e qeshur me lot. Barku ndërkaq qëndron krenar si një plagë lufte nga e cila kisha triumfuar!
 
Bora po vazhdonte lojën e vet. Tani kishtë hipur në aeroplan për në Londër derisa po fliste me gjuhën e Bang-Bangut. I’u afrova ngadalë, dhe me një pecetë të lagur, po i fshija buzët, faqet dhe më pas duartë e vogla. Asaj nuk i bënte përshtypje. Me gjasë kujtonte se po i korrigjoja buzëkuqin e dalë sipër vijës së buzës. E putha në ballin e djersitur dhe i thashë: “Zemra jote e mirë i jep ngjyrë buzëkuqit, aromë luleve dhe vezullimë fustanit! Bora mami, ti je më e bukura në botë! “
 
Sapo kisha krijuar edhe ca rrudha në fytyrë, e më të thellat në zemër!

Lajme të ngjashme

Back to top button