fbpx

Erdogan dhe Borisov e hapën Kishën e Hekurt të rikonstruktuar në Stamboll

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, së bashku me kryeministrin Binali Jëlldërëm dhe kryeministrin bullgar Bojko Borisov e hapën kishën e restauruar historike bullgare “Shën Stefani” (Kisha e Hekurt) në Stamboll, e cila është rikonstruktuar rrënjësisht, transmeton MIA. 

Duke folur në solemnitet Erdogan, theksoi se hapja e sërishme e Kishës së Hekurt paraqet mesazh të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar.

“E vlerësoj si një mesazh shumë të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar realizimin e këtij inaugurimi në një periudhë të tillë”, tha Erdogan.

Pasi ka theksuar se “Kujtimet e hidhura të një periudhe të caktuar historike nuk duhet të errësojnë përvojën tonë të bashkëjetesës, e cila është shumë më e gjatë dhe më e rrënjosur”, Erdogan ka shtuar se “Tek ne qëndron perceptimi i bashkimit në shumëllojshmëri. Kjo në të vërtetë tregon qëndrimin tonë për të gjitha besimet, idetë, pra unitet në shumëllojshmëri”.

Presidenti turk ka shtuar se në 15 vitet e fundit me kontributet e Turqisë, krahas atyre në vend janë kryer restaurime të më shumë se 5 mijë veprave në një pozitë gjeografike të gjerë që përfshin Ballkanin, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Jugore, Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore.

Pasi ka deklaruar se “Ne nuk e veçojmë nga njëra-tjetra lirinë e adhurimit në (Kishën) e Shën Stefanit (Kisha e Hekurt) të Stambollit nga liria e adhurimit në xhaminë Muradije në Plovdiv të Bullgarisë”, Erdogan tha se është një kontribut pozitiv për këtë proces që kryeministri bullgar Bojko Borisov ka ftuar sot në ceremoni edhe kryemyftiun e Bullgarisë, Mustafa Aliş.

“Në kohët e fundit në vendin tonë janë kryer restaurimet e 14 vendadhurimeve në mesin e të cilave ndodhen Sinagoga e Madhe në Edirne, Kisha e Shën Nikollës në Gokçeada, Kisha Katolike Asiriane në İskenderun, Kisha Protestante e Armenisë në Dijarbakër, Kisha Nizip Fevkani në Gaziantep, Kisha Taksijarhis në Xhunda dhe Kisha Aja Jorgi në Edirnekapı”, ka deklaruar Erdogan.

Ai ka shtuar më tej: “Ne besojmë se është në përgjegjësinë e shteteve për të siguruar që të gjithë mund të adhurojnë lirisht pa marrë parasysh besimet dhe rrënjët e tyre. Në periudhën osmane në territoret aktuale të Bullgarisë janë ndërtuar shumë vepra historike si xhami, hane, hamamë, ura dhe varre. Ne e dimë se veprat historike dhe xhamitë në Bullgari gjithashtu kanë nevojë të restaurohen. Ashtu si në rastin e Kishës së Hekurt, ne mund t’i bëjmë këto vepra së bashku për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore”. 

Kryeministri turk Jëlldërëm në hapjen e kishës theksoi se është “shembulli më i mirë” i tolerancës religjioze që Turqia e tregon ndaj religjioneve tjera.

“Shpresoj se ky mesazh do të dëgjohet dhe kuptohet drejtë”, tha ai.

Kryeministri bullgar Borisov, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoni, theksoi se nevojiten orvatje për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe BE-së në vitin 2018. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button