Ibrahimi jep dorëheqje të parevokueshme nga Lëvizja BESA

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga kjo detyrë, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se në vigjilje të mbajtjes së mbledhjes së rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, ndërsa në frymë të konstruktivitetit, vetëmohimit dhe gatishmërisë për zhbllokimin e organeve të Lëvizjes dhe për rihapjen e procesit për zgjedhje të brendshme, deklaroj se nga dita e sotme (5 janar 2018) jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra “nënkryetar i Lëvizjes BESA”.

“Ndonëse rezultati zgjedhor në zgjedhjet lokale në Komunën e Çairit ishte në shenjë të rritjes së numrit të votave të BESËS dhe ndonëse përballë kishim LSDM-në me vagonin e saj të ndryshkur (BDI), pra pushtetin dhe parapushtetin, policinë dhe parapolicinë, kishim vagabondët dhe gjithë shpurën e kriminelëve, si dhe sabotuesit e brendshëm – tashmë të njohur për opinionin, ne arritëm rezultat solid, që ishte dëshpërues për gjithë sojin e sipërpërmendur dhe mirënjohje për të gjithë njerëzit vullnetmirë të Çairit, veçmas për rininë që shfaqi sakrificën më të madhe për përmbytjen e një regjimi që e ka kapur keq dhe rëndë jetën e qytetarëve tanë. Megjithatë, gjendja faktike është e tillë që ata, duke e vjedhur votën e lirë, sot vazhdojnë të (keq)qeverisin me Komunën e Çairit. Prandaj, duke e njohur këtë rezultat – sido të arritur, në shenjë të respektimit të vlerave të vendosura nga Lëvizja BESA, që “të merret përgjegjësia politike për rezultatet”, po jap dorëheqje, duke dhënë mesazhin se askush në BESË nuk është më i rëndësishëm se BESA dhe askush në BESË nuk është i pazëvendësueshëm. Me këtë rast deklaroj se, duke e respektuar këtë përgjegjësi politike, mbetem jashtë edhe nga gara për kryetar të Lëvizjes BESA në Kongresin e Parë të Lëvizjes”, shkruan Ibrahimi.

“Ashtu siç kam insistuar gjithnjë, mbetem në qëndrimin se më e rëndësishme është të vendosen standardet e përgjegjësisë politike dhe ato të respektohen nga lidershipi sesa të bëhen përfitime të ndryshme. Ne të BESËS duhet të dallohemi edhe në këtë pikë: ashtu siç i pranojmë mirënjohjet, duhet të dimë ta pranojmë edhe përgjegjësinë. Kjo na bën të jemi të ndryshëm nga të tjerët. Andaj këtë do ta pres kurdoherë edhe nga të gjithë kolegët e tjerë të BESËS, sepse kjo është BESA e vërtetë, për të cilën kam kontribuar dhe të cilën e kam ëndërruar gjithnjë. Këtu dëshiroj t’i falënderoj edhe një herë të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe përkrahur, ndërsa ju them se unë vazhdoj të mbetem në BESË për t’i bërë betejat e radhës, deri në përmbysjen e poshtërimit që e ka nëpërkëmbur rëndë dinjitetin tonë kombëtar dhe njerëzor”, vazhdon më tej Ibrahimi.

 

Kronologjia e ngjarjeve: 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button