Strugë, qytetarët prishin karriget në shëtitore

Të dashuruarit, të rinjtë si dhe ata që e teprojnë me alkoolin janë kontingjenti që fajësohen nga Komuna e Strugës për prishjen e mbi shtatëdhjetë për qind të stolave dhe karrigeve të vendosura në shëtitoret buzë lumit Drin dhe liqenit, si dhe në parqet e qytetit.

Nga pushteti vendor komunikojnë se një pjesë e qytetarëve të pandërgjegjshëm, kryesisht të moshave të reja, zakonisht në orët e vona të natës, shkatërrojnë dhe prishin pjesën më të madhe të karrigeve dhe stolave të vendosura.

Pëllumb Abedini, referent i lartë për hortikulturë dhe rregullim në Komunën e Strugës, tregon se shkatërrimi dhe prishja e karrigeve është diçka që përsëritet kohë pas kohe dhe po kalon në një gjendje shqetësuese.

Gjithashtu, ai potencon se këtë fenomen e kanë paraqitur edhe pranë organeve të rendit me qëllimin e vetëm që të vijë deri te zbardhja e autorëve që bëjnë këto shkatërrime, të cilat përveç që ndikojnë negativisht në aspektin estetik dhe privojnë qytetarët nga një vend çlodhës, shkaktojnë edhe një humbje financiare për pushtetin lokal i cili është detyruar që të intervenojë për rregullimin e tyre dy herë në vit.

”Ne si pushtet vendor, i kemi denoncuar këto shkatërrime të qëllimshme të stolave, të cilat duhet përmendur se kanë edhe një ndikim financiar në buxhetin komunal. Dy herë në vit ne ndajmë mjete për sanimin e tyre si rezultat i këtyre shkatërrimeve”, potencon Abedini.

Nga Komuna e Strugës u bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes për pronën e përbashkët që i shërben qytetit dhe qytetarëve si dhe t’i denoncojnë të gjithë ata që për arsye të ndryshme shkatërrojnë dhe prishin atë që u përket dhe u shërben të gjithëve./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button