Dhuna në Republikën e Afrikës Qendrore, mijëra refugjatë drejt Çadit

 Agjencia e OKB-së për Refugjatët UNHCR deklaroi se që nga java e kaluar, duke ikur nga përplasjet mes grupeve të armatosura në Republikën e Afrikës Qendore, mbi pesë mijë refugjatë kanë mbërritur në Çad, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rreth 5.600 refugjatë kanë ardhur që nga 27 dhjetori kur filluan luftimet midis grupeve të armatosura në qytetin perëndimor Paoua, Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Republikës së Afrikës Qendore (MNLC) dhe lëvizjes Revolucioni dhe Drejtësia (RJ)”, tha Babar Baloch, zëdhënësi i UNHCR-së në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Sipas OKB-së, Çadi pret gjithsej 538 mijë refugjatë nga vendet fqinje dhe më shumë se 75 mijë prej tyre janë nga Republika e Afrikës Qendore.

UNHCR vuri në dukje se dhuna e armatosur dhe sulmet kundër punonjësve humanitarë dhe paqeruajtësve në Republikën e Afrikës Qendrore kanë rritur numrin e personave të zhvendosur brenda vendit, nga 400 mijë në muajin maj në 600 mijë nga fundi i vitit 2017.

“Numri i përgjithshëm i refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit është më i larti i regjistruar ndonjëherë për Republikën e Afrikës Qendrore, pothuajse një e katërta e popullsisë prej rreth 4.6 milionë banorë”, tha Baloch.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button